TIRANË 6 janar /ATSH-I.Vata/ Një grup nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka shkuar edhe sot në selinë e PD-së për të zhvilluar mbledhjen e radhës.
Grupi që drejtohej nga deputetët Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Ivi Kaso dhe tre drejtuesit e degës së Tiranës e kanë gjetur mbyllur derën e selisë së PD-së.
Në një prononcim për mediet, anëtari i Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe ish-deputeti i PD-së, Aldo Bumçi u shpreh se “siç shihet kjo tashmë është një shtëpi e mbyllur, është kthyer në një bunker. Një parti që nuk ka qenë e mbyllur në këto 30 vite asnjë herë, por ka qenë një derë e hapur. Për herë të parë në 30 vjet ka mbyll dyert është kthyer në një bunker. Pyetja është e thjeshtë: kujt i shërben kjo? Kjo nuk i shërben askujt tjetër, veçse Lulzim Bashës që të mbajë karrigen e tij dhe Edi Ramës. Një opozitë që është izoluar nga 44 mijë anëtarët”.
Bumçi shtoi se “është kriminale projekti për të zhdukur opozitën, por opozita është gjallë”.
“Ajo që mbushi stadiumin dhe nxori 44 mijë demokratë me 18 dhjetor dhe opozita është në këmbë dhe ditën e shtunë do e çlirojmë edhe këtë bunker dhe do e kthejmë në shtëpinë e madhe të demokratëve”, deklaroi Bumçi.
Nga ana e tij, Gent Strazimiri u shpreh se “ky oborr këtu është oborri i shkretisë së madhe, kjo godinë është godina e zbrazëtisë së madhe. Sot ky oborr duhet të gumëzhinte nga demokratët në betejë kundër regjimit. Sot asnjë demokrat nuk dihet të kishte dilemën i hapet epo nuk i hapet dera e shtëpisë së tij. Kjo është strategjia që ka, kjo është mënyra si ka ndërmend ta bëjë opozitën në Shqipëri”.
“Ky oborr i zbrazët, kjo godinë e mbyllur në këtë mënyrë tregon frikën e tij nga demokratët, jo më nga regjimi. Ky me regjimin e ka grurë. Janë 44 mijë vetë që do të duan të hyjnë në seli me 8 janar dhe me datë 8 do të marrin xhevap. Kjo është shtëpia e demokratëve”, theksoi ai.
Edhe të rinjtë e FRPD shkuan sot në selinë e PD-së për të zhvilluar një mbledhje mbi organizimin e protestës së 8 janarit, që nis nga selia e Partisë Demokratike.
“Kjo është një situatë e turpshme pasi ka kaq vite që angazhohemi dhe nuk lejohemi të futemi në seli e PD. Kjo seli nuk është pronë e askujt është pronë e demokratë, pronë e të rinjve dhe ti mbyllësh derën të rinjve është e paprecedent. Është një situatë vërtetë e turpshme dhe është hera e parë që përballemi nga këtë situatë”, tha një nga përfaqësueset e FRPD.
Po ashtu, përfaqësuesit e të rinjve të FRPD, deklaruan se do të marrin pjesë në protestën e 8 janarit.
“Kjo është një mbyllje dyersh për çdo mendim ndryshe, për çdo mendim kundër që ka dalë nga kjo situatë e krijuar në PD. Të rinjtë do të jenë pjesë e protestës në 8 janarit”, tha përfaqësuesja e FRPD.
/r.e/













