Ballina Flash

Dalin rezultatet e testit antidoping, konfirmohen medaljet e peshëngritësit Briken Calja në Botëror

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Medaljet e fituara nga peshëngritësi shqiptar Briken Calja në botërorin e peshëngritjes të mbajtur këtë dhjetor në Uzbekistan, janë konfirmuar sot zyrtarisht, pasi rezultatet antidoping treguan se peshëngritësi shqiptar është i pastër.

Lajmin e ka dhënë vetë peshëngritësi Calja, i cili ka shkruar në rrjetet sociale se, “një lajm i mirë mbërriti këtë mëngjes: Testet antidoping dolën duke treguar pastërtinë dhe vërtetësinë e medaljeve historike të Botërorit të fundit. Jam jashtëzakonisht i lumtur që medaljet e arit dhe të argjendit certifikohen”.

Calja është shpallur kampion bote në stilin e shkëputjes. Në kampionatin Botëror të Peshëngritjes që u zhvillua në Uzbekistan, peshëngritësi kuqezi arriti të fitojë medaljen e artë në kategorinë 73 kg, duke ngritur në provën e tretë peshën 156 kg.

Ndërsa në stilin e shtytjes Briken Calja u shpall nënkampion bote, duke zënë vendin e dytë pasi ngriti 186 kg, 6 më pak se vendi i parë.

Kështu në dygarësh Calja arriti peshën 342 kg, 1 kg më pak se vendi i parë, duke u renditur në vendin e dytë e duke marrë medaljen e argjendtë.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGrupi i Stabilitetit Financiar: Ekonomia u dëshmua rezistente ndaj pandemisë
Artikulli tjetërKisha e Rubikut iu rikthye plot shkëlqim besimtarëve