Ballina Flash

Kisha e Rubikut iu rikthye plot shkëlqim besimtarëve

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Mesha e Krishtlindjes për banorët e Rubikut u zhvillua këtë vit në kishën e rehabilituar falë programit “EU4Culture”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga përurimi i kësaj kishe, një monument françeskan, që ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan.

“Banorët e Rubikut e festuan sërish Krishtlindjen në kishën e tyre shumëshekullore, e cila iu rikthye plot shkëlqim besimtarëve falë ndërhyrjes së Ministrisë Kulturës përmes programit EU4Culture”, thekson Rama.

Kisha e Manastirit të Rubikut u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës.

Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeohistorik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDalin rezultatet e testit antidoping, konfirmohen medaljet e peshëngritësit Briken Calja në Botëror
Artikulli tjetërKultivim dhe trafik narkotikësh, SPAK çon për gjykim 31 të pandehur