TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka zhvilluar një takim këtë prag fundviti me mjekët, infermierët dhe anëtarët e Institutit të Shëndetit Publik Elbasan.
Duke i uruar një vit të ri të mbarë Gjiknuri gjatë këtij takim vlerësoi sakrificat dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të jetës në luftën me pandeminë.
“Në këtë prag fundviti u mblodhëm bashkë me mjekët, infermierët dhe anëtarët e Institutit të Shëndetit Publik Elbasan të cilët meritojnë respekt maksimal për sakrificat dhe përkushtimin e tyre të përditshëm në mbrojtje të jetës së qytetarëve. I urova një vit të ri sa më të mbarë dhe falenderova për punën fantastike dhe profesionalizmin e treguar”, shprehet Gjiknuri.
Gjiknuri gjithashtu i bëri apel qytetarëve që të vaksinohen për mbrojtjen e jetës së tyre por edhe të të tjerëve.
“Teksa vijon plani kombëtar i vaksinimit, një ftesë për të pavaksinuarit të vaksinohen një orë e më parë për mbrojtjen e jetës së tyre dhe qytetarëve të tjerë sepse vetëm duke u bërë bashkë në këtë betejë mund ta mposhtim pandeminë”, apeloi Gjiknuri.






















