Ballina Ekonomi

Sigurimet motorike zënë mbi 67% të tregut

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-nëntor 2021 kapën vlerën 17,370 milionë lekë, ose 17.59% më shumë se në janar-nëntor 2020.

Sipas raportit të publikuar sot nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-nëntor 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,055,799 me një rritje prej 23.12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.69% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.16%.

Sipas AMF, sigurimet motorike zënë 67.32 % të tregut, sigurimet e jetës dhe shëndetit 13.38 %, ndërsa zigurimi i pronës rreth 19%

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.51% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.49% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-nëntor 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,001 milionë lekë, ose 11.88% më pak se në periudhën janar-nëntor 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fund vitit 2019 gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-nëntor 2021 kapën vlerën 3,629 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 25.35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCili është ndryshimi mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore?
Artikulli tjetërKLP shtyn seancën dëgjimore për procedim penal ndaj magjistrates