Ballina Ekonomi

Karçanaj: Qytetarëve iu kursyen 766 vite pritje në radhë e 6.5 milionë euro

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj deklaroi se sot 95% e shërbimeve për qytetarin dhe biznesin ofrohen online, në një kohë kur në 2013 ofroheshin vetëm 14 shërbime.

Sipas Karçanit, falë këtyre shërbimeve online qytetarëve dhe biznesit u janë kursyer 766 vite pritje në radhë dhe 6.5 milionë euro në xhepat e tyre.

Ajo deklaroi se shumë shpejt do të bëhet e mundur që çdo përgjigje të jepet me nënshkrim elektronik.

“Po të kthehemi pas disa vite më parë, për të marrë një certifikatë familjare nevojitej të qëndroje me orë të tëra në radhë. E njëjta edhe për vërtetimin e gjendjes gjyqësore. Nga viti 2020, 95 % e shërbimeve ofrohen online për qytetarët dhe biznesin. Këtyre falë shërbimeve online iu janë kursyer 766 vite pritje në radhë dhe 6.5 milionë euro”, tha Karçanaj.

Sipas saj, në vitin 2013 ofroheshin 14 shërbime, ndërsa sot ofrohen 1209.

“Kemi qenë gati të ofrojmë 472 shërbimet e para vetëm online në kohën e pandemisë. Nëse këto shërbime s’do të kishin ekzistuar qytetarët dhe bizneset s’do të kishin marrë shërbimet e duhura. Sot kemi një realitet krejt tjetër. Nga 14 shërbime në 2013-ën, sot kemi 1209 online”, tha Karçanaj.

Më tej, Karçanaj u shpreh se në fillim të 2020 ishin 50 mijë të regjistruar, aktualisht janë 2.3 milionë qytetarë që kanë llogari në e-Albania.

“Në fillim të 2020-ës ishin 50 mijë të regjistruar, aktualisht janë 2.3 milionë qytetarë që kanë llogari në e-Albania. Deri tani janë kryer 12.8 milionë aplikime. Kjo do të thotë orë e kohë e fituar për qytetarët. 2 milionë aplikime janë kryer në portalin e-Albania vetëm në Shkodër që prej janarit të 2020-ës. Vetëm gjatë bllokimit nga pandemia janë kryer 3.68 milionë shërbime nga 1.2 milionë qytetarë dhe biznese”, u shpreh ajo.

Shërbimet online janë vlerësuar, sipas Karçanajt, edhe nga institucionet ndërkombëtare.

“Kemi patur 5 vlerësime në 2020-ën dhe në 2021-shin vijnë tre të tjera nga BERZH, KiE dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Shqipëria renditet e para në rajon sa i përket qeverisjes digjitale”, u shpreh Karçanaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANKARA – Erdogan: Turqia nuk mund të presë pafund migrantë
Artikulli tjetërForcohet dollari, euroja humb terren