FOKUS – Biden informon aleatët për samitin me Putin

BERLIN, 8 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Joe Biden zhvilloi një video-konferencë me aleatët evropianë, pas samitit virtual me Putinin, tha sot një zëdhënës i qeverisë gjermane.

”Biden informoi kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin italian Mario Draghi dhe kryeministrin britanik Boris Johnson dje në mbrëmje vonë”, sipas Steffen Seibert, zëdhënësi i Merkelit.

”Evropianët nënvizuan mbështetjen e tyre të plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës gjatë atij takimi”, tha Seibert.

”Të gjithë pjesëmarrësit theksuan nevojën që Rusia të ulë tensionet dhe të kërkojë një zgjidhje diplomatike, duke përfshirë formatin e Normandisë për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut”, shtoi ai, duke iu referuar përpjekjeve për paqen në Ukrainë të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania.

Biden dhe Putin zhvilluan një samit dje për të diskutuar konfliktin në Ukrainë, ndërsa të dyja palët shkëmbejnë akuza për provokime ushtarake.

Nuk pati përparime në samitin, i cili ishte planifikuar të zgjaste për disa orë, por përfundoi vetëm pas rreth dy të tillash.

“Mendoj se kjo situatë nuk na kënaq as ne dhe as amerikanët”, tha të mërkurën këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Juri Ushakov.

Marrëdhëniet midis dy fuqive botërore janë një shkak për shqetësim, citohet të ketë thënë Ushakov, megjithëse dy rivalët thuhet se janë të gatshëm të punojnë për uljen e tensioneve./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.