Kryemadhi: Demokracia kërkon protesta të përditshme mbi të padrejtën

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Në Ditën Kombëtare të Rinisë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi theksoi nevojën e rikthimit tek ato vlera fillestare që bashkuan të gjithë shqiptarët.

Përmes një mesazhi urimi, Kryemadhi tha se “sot duhet të përulemi me mirënjohje ndaj veprës së të rinjve të dhjetorit ’90, si edhe ndaj të gjithë qytetarëve që i dolën krah misionit të tyre për jetësimin e ëndrrës ‘Shqipëria si e gjithë Evropa’”.

“Gjithashtu kjo datë bën të ulin kokën në turp, të gjithë kush në 3 dekada pati shansin ta realizojë këtë mision, por e la në rrugë duke braktisur vlerat dhe idealet mbi të cilat u themelua Shqipëria postkomuniste”, tha ajo.

Sipas Kryemadhit, “demokracia nuk është e garantuar, por ajo kërkon mbështetje të vazhdueshme dhe protestë të përditshme me të padrejtën, për të qenë triumfuese ndaj kërcënimeve që i kanosen”.

“Shpopullimi masiv e ka vendosur Shqipërinë përballë një kërcënimi real për të ardhmen. Shqipëria si Evropa nuk realizohet duke përkujtuar dhe festuar një herë në vit, por ka nevojë çdo ditë për dedikim dhe dashuri për vendin”, tha ajo.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.