Policia e Lezhës godet dy grupe kriminale, 4 të arrestuar

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Policia e Lezhës finalizoi brenda 24 orëve dy operacione policore, për parandalimin e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit “Mataro” u sekuestruan mina me telekomandë, arsenal armësh e municionesh, drogë dhe një shumë e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale.
Po ashtu, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë me precedentë të theksuar kriminalë.
Policia arrestoi shtetasin M. L., 27 vjeç, banues në fshatin Tale, Lezhë, i dënuar më parë në Itali, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”; N. M., 62 vjeç dhe M. M., 60 vjeçe, të dy banues në lagjen “Varosh”, Lezhë.
Gjithashtu shpalli në kërkim shtetasit E. V., 31 vjeç dhe H. N., 31 vjeç, persona me precedentë të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri ta lartë shoqërore, të dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës.
Nga hetimet paraprake dhe informacionet e grumbulluara rezulton se shtetasit H. N. dhe E. V., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit.
Këta shtetas, si bazë për fshehjen e armatimit që do të përdornin për kryerjen e vrasjes dhe të të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal, kishin shfrytëzuar ambientet e banesës dhe të restorantit të shtetasit N. M.
Ndërsa shtetasi M. L., dhëndri i shtetasit N. M., është kapur me armë zjarri pistoletë, gjatë operacionit, në përpjekje për të fshehur provat që u gjetën gjatë kontrollit të Policisë.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe ato operacionale të DVP Lezhë, ushtruan kontrolle të menjëhershme në ambiente, mjete dhe banesa të dyshuara.
Si rezultat i kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 2 mina me telekomandë me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë; 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit;
2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.
Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi nga informacionet e grumbulluara dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, kapjen e personave të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Gjithashtu, nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, mbrëmjen e djeshme, është finalizuar një tjetër operacion policor, i koduar “Rrethi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. Sh., 24 vjeç, banues në fshatin Merqi, Lezhë.
Ky shtetas është kapur në flagrancë gjatë operacionit, pasi me automjetin e tij tip “Audi”, po transportonte në drejtim të Tiranës, 20 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, me qëllim shitjen e saj.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është duke zhvilluar kontrolle intensive në terren dhe duke zhvilluar operacione për kapjen e personave që tentojnë të kryejnë krime kundër personit e pronës, që mbajnë armë zjarri apo qarkullojnë me to dhe të atyre që tentojnë të kultivojnë apo të trafikojnë lëndë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë dy javëve të fundit janë sekuestruar arsenal armësh e municonesh luftarake dhe lëndë shpërthyese. Gjithashtu është parandaluar një ngjarje e rëndë kriminale në familje, si dhe janë zhvilluar dy operacione për kapjen e personave që kryejnë vjedhje të pronës së qytetarëve.
/m.m/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.