Ballina Ekonomi

Çmimet e mallrave të importit, rritje vjetore prej 3.3 %

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Çmimet e mallrave të importit shënuan rritje vjetore prej 3.3 % në tremujorin e tretë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti shënuan rritje me 1.8 %.

Instituti i Statistikave, (INSTAT) publikoi sot indeksin e çmimeve të importit.

Referuar të dhënave, çmimet e importit të produkteve në grupin “energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritje vjetore prej 35.1 %. Ndërsa çmimet e importit të mallrave në grupin “industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 94 %, shënoi një rritje me 2.1 %.

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit të përpunimit të koksit dhe rafinerisë së nënprodukteve të naftës me 5.1 %.

Edhe çmimet e mallravwe të importit për aktivitetet e prodhimit të pijeve shënuan rritje me 4.9 %, ndërsa për aktivitetin e metalurgjisë, 3.4 %.

Nga ana tjetër çmimet në aktivitetin e prodhimit të letrës dhe produkteve prej letre kanë shënuar ulje me 2.1 %.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVijon plani kombëtar i pastrimit në vend
Artikulli tjetërNdërmjetësimi, adresim i kërkesave për licencim para hyrjes në fuqi të ligjit të ri