“Figurë përbashkuese e PS-së”, Gramoz Ruçi feston 70-vjetorin e lindjes

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Gramoz Ruçi, një prej figurave me më shumë kontribute në Partinë Socialiste, feston sot 70-vjetorin e lindjes.

Kryeministri, njëherësh lideri i PS-së, Edi Rama ka uruar ish-kryeparlamentarin për ditën e tij të lindjes.

Një urim në 70-vjetorin e lindjes së Ruçit ka përcjellë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

“Një urim i përzemërt për mikun tonë Gramoz Ruçi, një prej figurave më të rëndësishme dhe me kontribute të pashlyeshme në historinë e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Me urtësinë dhe mençurinë e tij, Gramozi i dha shumë familjes sonë socialiste duke u kthyer me meritë në një shtyllë të rëndësishme referimi”, vlerësoi Gjiknuri.

Ai e cilësoi Ruçin, “një figurë përbashkuese edhe në ato momente delikate të familjes sonë politike kur kishim nevojë më shumë se kurrë për të qenë bashkë”.

“Edhe vendimi i vetëm pak muajve më parë për t’u shkëputur nga jeta aktive politike ishte një tjetër leksion demokracie dhe pjekurie politike. Një shembull me vlerë dhe standard që duhet respektuar”, tha ai.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi si “shtylla kryesore në vite e dekada e Partisë Socialiste, ai na dha edhe leksionin e fundit para pak muajsh, se nëse vendos të ikësh një ditë, më mirë të ikësh si fitimtar”.

“Një jetë e mbushur me punë, përkushtim, sakrifica, miqësi e mësime të vlefshme, që ende vazhdon të na japë. Faleminderit dhe shumë urime Gramoz!”, tha Manja.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali shprehet se Ruçi do mbetet pikë referimi për socialistët.

“100 Gramoz Ruçi! Gjithmonë vetja dhe gjithnjë i vërtetë, për familjen tonë socialiste do të jesh përherë një pikë referimi”, shprehet Spiropali në mesazhin e urimit.

Deputeti i PS-së, Erion Braçe shprehet në urimin për 70-vjetorin e lindjes se “Gramoz Ruçi vitet i ka beteja”.

“Burrat nuk i bën mosha; burrat bëhen në beteja. Prej betejave, burrat i bën nderi, dinjiteti, njohja, analiza, përgjegjësia, kurajoja, pasioni, respekti për shokët në krah apo kundërshtarët përballë, në betejë! Gramoz Ruçi vitet i ka beteja! Gëzuar ditën e lindjes! Jetë, shëndet e forcë”, uron Braçe.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.