Shqipëri – Norvegji, nxitje e eksporteve për produktet e origjinës

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi sot projektligjin “Për disa shtesa në ligjin “Për ratifikimin e vendimit të komitetit të përbashkët EFTA – Shqipëri nr. 1 i vitit 2021, miratuar më 24.6.2021, për ndryshimin e protokollit B të marrëveshjes se tregtisë së lirë, ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Shqipërisë, lidhur me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, dhe ndryshimin e marrëveshjeve për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës, dhe Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse e saj”.

I pranishëm gjatë diskutimit të këtij projektligji, zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, tha se “qëllimi i projektligjit është ratifikimi i ndryshimit të marrëveshjes për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë, e cila është pjesë përbërëse vendimit të Komitetit të Përbashkët EFTA – Shqipëri”.

Sipas tij, në përgjithësi shkëmbimet tregtare midis dy vendeve janë në hapat e para të një një shkëmbimi bilateral dhe ajo që ky projektligj synon të arrijë është nxitja e shkëmbimeve tregtare mes dy vende.

“Amendimi i parashikuar në këtë projektligj, parashtron që rregullat për produktet e origjinës të jenë sipas protokollit B të marrëveshjes se tregtisë së lirë, me qëllim rritjen e eksporteve drejt Norvegjisë”, theksoi Kadia, teksa vuri në dukje se, “ndryshimi i rregullave nuk ka efekte në buxhetin e shtetit dhe zbatimi i rregullave të origjinë të ndryshuar, vlerësohet të sjellë efekte pozitive dhe i jep mundësi bizneseve të përfitojnë në rregullat tregtare.”

Kadia bëri të ditur se në vitin 2019, eksportet drejt Norvegjisë ishin 140 mijë euro. Ndërsa në vitin 2021 vlera e eksporteve është trefishuar në 445 mijë euro.

“Synojmë që lehtësitë që parashtrojmë për produktet e origjinës të shfrytëzohen nga sipërmarrjet për rritjen e eksporteve midis dy vendeve,” tha Kadia.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.