TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë përfshirë edhe zonat malore në qarkun e Elbasanit gjatë natës së shkuar, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Prefektura e Elbasanit bën të ditur se gjatë natës ka patur prani inertesh e gurësh në të gjitha akset rrugore nacionale e rurale.
“Gjatë natës është bllokuar me intervale kohe nga inertet aksi Elbasan-Rrogozhinë, segmenti Papër-Paulesh. Në akset nacionale Elbasan-Qafë-Thanë në Qafë-Thanë dhe Librazhd-Stërblevë në Stërblevë ka prezencë dëbore në rrugë, 5 deri 6 cm. Në bashkinë Gramsh, në njësinë administrative Poroçan është i bllokuar fshati Gjerë e Holtas si dhe ka vështirësi për në qendër të Poroçanit. Në njësinë administrative Kushovë është bllokuar fshati Kërpicë. Në njësinë administrative Pishaj është shembur pasarela e fshatit Liras. Vështirësi për kalim ka edhe në njësitë Bicaj, Posnovisht, Kishtë”, bënë të ditur burime nga Prefektura.
Sipas Prefekturës, lumi Shkumbin dhe Përroi i Gurrës në bashkinë Elbasan nuk paraqesin probleme.
Po ashtu, furnizimi me energji elektrike paraqet probleme në njësinë administrative Labinot Mal, bashkia Elbasan, njësinë administrative Orenjë, bashkia Librazhd dhe njësinë administrative Përparim, bashkia Peqin.
Prefektja e Elbasanit, Majlinda Perriu ndodhet në terren për të parë nga afër situatën. Ditën e sotme ajo po monitoron aksin Elbasan-Rrogozhinë që ka patur problem gjatë natës. /j.p/r.e/





















