POLONI – Morawiecki: Rusia po përpiqet të destabilizojë Evropën Qendrore

VARSHAVË, 30 nëntor /ATSH-PAP/ – Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki deklaroi për BBC se një krizë migracioni në kufirin polako-bjellorusi, një grumbullim i forcave ruse pranë Ukrainës dhe rritja e çmimeve të gazit janë të gjitha pjesë e planeve të Kremlinit për të destabilizuar Evropën Qendrore.

Në intervistën e publikuar përpara një takimi të sotëm të ministrave të NATO-s në Riga, Morawiecki tha se nuk ishte vonë që aleanca të ndërmerrte veprime kundër Moskës.

NATO dhe BE akuzojnë Bjellorusinë për orkestrimin e qëllimshëm të një krize migracioni në kufijtë e saj me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë si hakmarrje për sanksionet e vendosura ndaj Minskut nga Brukseli.

Morawiecki i tha BBC-së se ishte koha që aleatët e NATO-s të bashkoheshin, pasi pas disa muajsh do të ishte tepër vonë.

“Duhet të zgjohemi nga ky gjumë gjeopolitik”, tha Morawiecki, duke argumentuar se ngjarjet e fundit treguan se Kremlini dhe aleatët e tij duan të ndryshojnë sistemin politik dhe të destabilizojnë rajonin.

“Gjëra të këqija mund të ndodhin në Ukrainë për shembull ose mund të ketë një problem tjetër të madh migracioni për të gjithë Evropën”, theksoi ai.

Në kontekstin e kërcënimeve të sigurisë, kryeministri përmendi shtimin e forcave ruse në kufirin e saj me Ukrainën dhe rritjen e çmimit të gazit si dhe urgjencën kufitare të Bjellorusisë.

Ai pohoi se “autori i menjëhershëm” i krizës kufitare ishte presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, por se “ai ka sponsorin e tij, ai ka shefin e tij” në Kremlin, një referencë për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Të gjitha pjesët e enigmës së bashku paraqesin një pamje jo shumë të mirë”, vazhdoi Morawiecki.

Ai shtoi se propaganda ruse tenton të ushtrojë presion mbi Bashkimin Evropian me qëllim që të shkaktojë kolapsin e tij.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen sot, edhe me pjesëmarrjen e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.