Rama: Ballkani i hapur, njësi e zbatimit të procesit të Berlinit

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/  Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Ballkani i hapur, është njësia e zbatimit të projektit të Procesit të Berlinit.

I pyetur në një emision televiziv për nismën “Ballkani i hapur”, Rama tha se, “edhe një vend po të mbetet unë jam i bindur që kjo është rruga e padiskutueshme për të pasur një të ardhme, më të mirë, më të begatë, ne shqiptarët, njëherë. Pastaj sigurisht ne shqiptarët përmes hapjes rajonale. Edhe një po të mbetet”.

“E dyta, Ballkani i hapur, ose Open Balkan është thjesht njësia e zbatimit të projektit të Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është vizioni dhe korniza e madhe, Ballkani i hapur është zbatimi”, u shpreh Rama.

“Tani në dhjetor janë një sërë gjërash që janë konkrete që do firmosen. Po shikoja shifrat para disa javësh. Janë 139 kompani shqiptare që eksportojnë në Serbi. Janë rreth 300 e ca, 400 që eksportojnë në Maqedoninë e Veriut dhe për të gjitha këto që janë njëherë  si fillim është një çlirim i jashtëzakonshëm. Dhe pjesa më e madhe e kompanive eksportojnë produkte bujqësore dhe u nxihet jeta dhe për ta do jetë rruga e lirë”, theksoi Rama.

Rama shprehu bindjen se të gjithë vendet e rajonit do t’i bashkohen Ballkanit të hapur, por shtoi ai, “ajo që më duket më absurdja është mungesa e Kosovës. Sepse ishte një kohë kur Kosova, pasi ishte njohur si shtet, nuk çonte dot në tryezë një të nivelit të tretë se serbët iknin. Nuk uleshin serbët as në nivelin e tretë me kosovarët. Sot kur ti ke mundësi të vish të ulesh në tryezë ku është presidenti i Serbisë dhe ti ulesh aty dhe je kryeministri a presidenti i Kosovës, si nuk vjen ti, çfarë problemi ke ti që s’vjen?”

I pyetur  për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se kufijtë nuk ndryshojnë dot fshehtas.

“Që të ndryshosh kufijtë në rast se e marrim të mirëqenë që kishte një iniciativë për të ndryshuar kufijtë, nuk është diçka që bëhet dot fshehurazi dhe nuk është diçka që mbaron aty ku e bisedojnë njerëzit”, theksoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.