Shpallja “non grata” e Berishës, peshë e rëndë për vendin

TIRANË, 25 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se shpallja e Sali Berishës “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit është shumë e rëndë për Shqipërinë dhe ka një peshë të rëndë për vendin.

I ftuar në një studio televizive, Rama foli edhe për zhvillimet brenda PD-së, ku deklaroi se “një aset i politikës shqiptare është në shkatërrim e sipër”.

“Unë nuk jam me asnjërin, sepse pavarësisht se janë dy tipologji shumë të ndryshme, në thelb janë e njëjta gjë dhe nuk dallojnë me njëri-tjetrin”, tha Rama duke folur për Berishën e Bashën.

Lidhur me shpalljen e Berishës “non grata”, Rama tha se “është një histori shumë më e rëndë se sa duket për vendin tonë”.

“Një njeri që ka pasur 30 vjet të gjitha çfarë mund të ketë, ka qenë President, kryeministër, ka pasur lidershipin e një prej dy partive kryesore shpallet ‘non gratta’ nga një vend që është një aleat i rëndësishëm i Shqipërisë. Shqipëria nuk është një vend që ka një marrëdhënie të dyshimtë me SHBA-në, por ka një marrëdhënie shumë të padyshimtë me SHBA si vend. Pastaj relativizimi vulgar që i bëhet duke e kthyer shpalljen ‘non gratta’ në produkt konspiracionesh është shumë e rëndë. Kjo për Shqipërinë ka një peshë shumë të madhe”, tha Rama.

Rama shtoi se “nga një gur në qafën e një njeriu, kjo nuk mund të kthehet në një gur në qafën e një vendi”. “Është histori shumë tragjiko-komike kjo që ndodh në PD. Është si një humor i madh i universit që ja kthen mbrapsht të gjitha ato që ai (Berisha) ka bërë”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.