Më 28 nëntor nis puna për aeroportin e Vlorës, më 29 nëntor hapet rruga e Arbrit

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në datën 28 nëntor fillon puna për aeroportin e Vlorës, teksa më 29 nëntor hapet rruga e Arbrit

I pyetur në një emision televizive mbi investimet në infrastrukturë, Rama tha se, “investimet tek rruga e Kombit, të bëra nga buxheti i qeverisë, nuk janë investime që lidhen me koncesionarin”.

Për punët publike, Rama tha se, “na ka shkuar një periudhë kohe dhe një shumë parash e konsiderueshme për të paguar, jo vetëm borxhet ndaj kompanive të rrugëve, por edhe përfundimin e rrugëve. Po më the mua një rrugë të filluar dhe të përfunduar. Se për të hapur rrugë kur si ke lekët i hap, s’ka asnjë problem. Rruga e Kombit akoma sot nuk ka përfunduar sot që flasim. Edhe në tunelin e Kalimashit janë bërë investime të reja”.

“Sot shkon me rrugë me të gjitha standardet deri në Vermosh. Sot shkon me rrugë rehat fare deri në Theth. Ndërkohë sot që flasim është në kantier rruga Shëngjin-Velipojë. Sot shkon në Vlorë më në fund normalisht sepse u bë dhe gjithë ai segmenti më problematik që ishte bajpasi i Fierit. Nuk ishte, nuk ekzistonte”, tha Rama.

“Më datë 29 ju ftoj bëni një xhiro tek rruga e Arbrit. Rruga e Arbrit ka disa tunele dhe ka vetëm një problem tek tuneli i Murrizit, për arsye të formacionit gjeologjik. Është bërë një bajpas i përkohshëm. Pastaj do vini dhe tek rruga Kardhiq-Delvinë”, tha Rama.

“Në datën 28 fillon puna edhe për aeroportin e Vlorës. Fillon puna tani në kantier. Janë mbyllur të gjitha gjërat e tjera dhe hapet kantieri i aeroportit të Vlorës në datën 28. U desh një kohë marramendëse sepse jo çdo projekt shkon siç duhet edhe për arsye objektive”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.