Ballina Ekonomi

Njohje e sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe Kosovë

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për njohjen e sigurimeve shoqërore mes dy vendeve.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë e Kosovës, që u zhvillua sot në Elbasan, ministrat e Financave dhe të Ekonomisë të dy vendeve ndanë të njëjtën mendim për lehtësinë që krijon kjo marrëveshje në njohjen e sigurimeve shoqërore në të dy vendet.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh për angazhimin intensiv që kanë bërë grupet teknike të të dy vendeve, për përputhjen e dy legjislacioneve dhe duke koordinuar skemat e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë dhe të Kosovës.

“Negociatat mes Shqipërisë dhe Kosovës nisën që në vitin 2020, ndonëse bashkëpunimi mes dy vendeve për të nënshkruar këtë marrëveshje daton shumë më herët”, tha Ibrahimaj, teksa vuri në dukje se, “pritet që marrëveshja të ratifikohen nga presidentët dhe pas këtij momenti, do të bëjmë njoftimin reciprok të palëve, me qëllim që të hyjë në fuqi në muajin e tretë pas njoftimit reciprok”.

Ibrahimaj tha se “sot ne do të firmosim një sërë marrëveshjesh që shkojnë në linjë me lehtësimin e një sërë procedurave për të punuar në të dy vendet, siç është ajo e vetë qëndrimit, njësimi i lejeqëndrimit për punë, shkurtimi  procedurave për njohjen e diplomave, të cilat janë parakushte që na krijojnë mundësinë të punojmë lehtësisht në të dy vendet”.

“Vitet e fundit, vuri në dukje ministrja Ibrahimaj, numri i të punësuarve është rritur si atyre që vijnë nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. Kjo marrëveshje i lehtëson edhe më shumë këto procedura. Njeh periudhën e sigurimit të punës së tyre, me qëllim që qytetarët të përfitojnë nga barrëlindjet, aksidentet në punë si dhe për pensionet familjare dhe të invaliditetit”.

Ibrahimaj tha se “bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve vihet re edhe në fushën e tregtisë dhe kjo marrëveshje i shtohet angazhimit të qeverisë për të konkretizuar bashkëpunimin”.

Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje që nxit më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Dua të përgëzoj vullnetin politik për t’i çuar përpara këto marrëveshje. Marrëveshja për sigurimet shoqërore është me rëndësi, pasi nuk mund të kishte një treg të përbashkët pune, për të punuar në të dy anët e kufirit, pa pasur një marrëveshje për sigurimet që e kompleton këtë proces dhe përfitues të drejtëpërdrejtë janë qytetarët e të dy vendeve nga sigurimet shoqërore”, tha Murati.

Ministri i Kosovës theksoi se, “me këtë marrëveshje mundësohet që të ketë eksportim të pensioneve, por edhe bashkim të periudhave në mënyrë që të sigurohet një pension sa më i dinjitetshëm për ata që kanë pasur rastin e mundësinë të punojnë në të dy anët e kufirit”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Kosovë, shtim i përfaqësive konsullore dhe lehtësim i procedurave doganore
Artikulli tjetërNgjyrat e pafundme të universit frymëzojnë modën, muzikën dhe dizajnin