Ballina Aktualitet

Xhaçka: Shqipëria, përpjekje të qenësishme për zbatimin e reformave

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti sot ministrin federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Michael Linhart.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Xhaçka u shpreh se vizita e Michael Linhart në Tiranë është tregues i vëmendjes që Austria i kushton Shqipërisë dhe rajonit.
“Vizita e parë e Ministrit Linhart, vjen në fakt në vazhdën e disa vizitave të zyrtarëve të lartë austriakë në Shqipëri, përfshi edhe paraardhësin e Linhart, ish-ministrin, sot Kancelarin Schallenberg, po ashtu dhe Ministren Edstadler, vizita të cilat tregojnë qartazi vëmendjen që Austria i kushton vendit tonë, por edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”, tha Xhaçka.

“Gjatë takimit patëm mundësinë të shkëmbenim mendime mbi ecurinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, të cilat i vlerësojmë si shumë të mira dhe me potencial të madh zhvillimi. E falënderova ministrin Linhart për kontributin e çmuar që qeveria dhe populli austriak i kanë dhënë Shqipërisë në kapërcimin e situatave të vështira të krijuara nga tërmeti i vitit 2019. Nga ky kontribut konkret do të përfitojnë shtëpi rreth 35 familje në bashkinë e Mirditës”, u shpreh Xhaçka.

“Po kështu, Austria u angazhua në mënyrë solidare në koordinimin e shpërndarjen e 651.000 dozave të vaksinës Pfizer/Biontech, të financuara nga ana e BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë periudhës maj-gusht 2021, dhe për këtë jemi maksimalisht mirënjohës”, theksoi Xhaçka.

Xhaçka u shpreh se e falënderoi ministrin austriak, “për kontributin që Austria i ka dhënë procesit të reformave, aq të domosdoshme në Shqipëri, në veçanti implementimit të reformës në drejtësi, një prej shtyllave kryesore të procesit të transformimeve në vend. Aktualisht Austria po menaxhon me sukses ndihmën financiare të BE dhe mbështetjen e procesit te vettingut përmes drejtimit të fazës së dytë të projektit per Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”.

“Bashkëpunimi bilateral mes vendeve tona zhvillohet në një kuadër shumëplanësh, shkëmbimesh kulturore, politikash arsimore me fokus arsimin profesional dhe jo vetëm, rritjen e potencialit turistik, e veçanërisht intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik. Gjatë kësaj vizite në Tiranë Ministri Linhart shoqërohet edhe nga një delegacion biznesi, ndërkohë që muajin e kaluar u zhvillua në Tiranë, Sesioni i 8-të i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunim Ekonomik Shqipëri-Austri, gjatë të cilit u shpreh vullneti për të riorientuar prioritetet e bashkëpunimit mes nesh, duke gjetur mekanizmat e duhur dhe shfrytëzuar instrumentet ekzistues për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, si dhe diversifikimin e tyre në përputhje me potencialet e secilit vend në sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, theksoi Xhaçka.

“Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, ishte një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve që zhvilluam. Pata rastin për të falënderuar sërish Austrinë për mbështetjen e pakufizuar dhe të pakushtëzuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria ka bërë përpjekje të qenësishme për implementimin e një varg reformash të rëndësishme, përpjekje të cilat janë njohur si nga Komisioni Evropian ashtu edhe nga vendet anëtare”, u shpreh Xhaçka.

“Vlerësova faktin se Austria është nga ato vende me të cilat bashkëndajmë të njëjtin mendim sa i takon domosdoshmërisë për të përforcuar angazhimin e BE-së dhe bashkëpunimin politik me Ballkanin Perëndimor. Austria, bën pjesë gjithashtu në ato vende të Unionit që ka një kuptim të plotë të dinamikës e madje edhe të paparashikueshmërisë së mjedisit gjeopolitik në rajonin tonë”, shtoi Xhaçka.

Ministrja gjithashtu shprehu falënderimin për kontributin konkret austriak për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe më gjerë, përmes trupave austriake të dislokuara jashtë vendit në misione paqeruajtëse, ndër të cilat misioni më i madh në numër është ai i KFOR-it në Kosovë.

“Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor ishin një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve që zhvilluam. Ne vlerësojmë angazhimin dhe mbështetjen e Austrisë për vendeve të Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për t’u integruar në BE. Shqipëria nga ana e saj do të vazhdojë me konsekuencë të angazhohet për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit. Në këto kohë sfiduese, kur fantazmat e së kaluarës kanë nisur të rishfaqen, duhet të ngrihemi në lartësinë e të kuptuarit të implikimeve që burojnë nga zhvillimet në rajon dhe të mendojmë se rigjallërimi i perspektivës së integrimit evropian të vendeve të rajonit do të jetë një instrument efikas për të inkurajuar vazhdimin e reformave dhe forcimin e stabilitetit”, tha Xhaçka.

“Diskutuam gjithashtu me Ministrin Linhart mbi intensifikimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona në kuadrin e organizatave ndërkombëtare, në veçanti në kuadrin e Kombeve të Bashkuara. Konstatuam me kënaqësi që në këtë fushë midis dy vendeve tona ekzistojnë të gjitha mundësitë për një bashkëpunim të frytshëm dhe intensiv. Si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023, Shqipëria do të jetë e angazhuar për të dhënë kontributin e saj modest në çështjet që do të trajtohen në forumin më të lartë ndërkombëtar”, përfundoi Xhaçka.

 

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria progres, BE të mbajë premtimet e veta për negociatat
Artikulli tjetërDialog lirik për dashurinë, jetën dhe vdekjen