Ballina Flash

Dialog lirik për dashurinë, jetën dhe vdekjen

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ “Zoti e krijoi botën për dashuri” titullohet vepra me vargjet e Yunus Emre dhe Milan Rakic e sjellë mbrëmjen e djeshme nën interpretimin e aktorëve të njohur Luiza Xhuvani dhe Kristian Koroveshi në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Në një dekor të veçantë thuajse si një botë paralele që lëviz dhe rimodelon gjithçka në formë lirike, dy aktorët përcollën një dialog lirik për dashurinë, jetën dhe vdekjen.

Në një kohë kur bota humbet ekuilibrin, ristrukturimi i vargjeve të Yunus Emre dhe Milan Rakic rikthejnë vëmendjen tek ato më të rëndësishmet e qenies njerëzore.

Spektatorët e pranishëm në sallë duartrokitën interpretimin e aktorëve Xhuvani dhe Koroveshi, në një format poetik thuajse si dialog teatror, i mbushur me poezi të trajtuara në formë monologësh e dialogësh.

Dy aktorët do të ngjiten edhe mbrëmjen e sotme në skenën e Teatrin Kombëtar Eksperimental.

Luiza Xhuvani është një nga aktoret e njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, e vlerësuar me shumë çmime në festivale. Kristian Koroveshi përveç roleve në teatër, është i vetë angazhuar duke sjellë në rolin e producentit dhe aktorit, një formë të teatrit të poemës dramatike dhe netëve poetike në vende të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm.

Në janar të këtij viti Luiza Xhuvani dhe Kristian Koroveshi sollën para publikut një mbrëmje poetike me poema të autorëve të ndryshëm.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakXhaçka: Shqipëria, përpjekje të qenësishme për zbatimin e reformave
Artikulli tjetërTomini: Mbulesa vaksinale 47%, 38 mijë doza të treta anti-COVID