TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli dhe zëvendëskryetari i këtij Komisioni, Tomor Alizoti zhvilluan në selinë e Kuvendit të Shqipërisë një takim me një delegacion të Komisioneve të Mbrojtjes së Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë, të kryesuar nga Senatore Roberta Pinotti, kryetare e Komisionit të Mbrojtjes në Senat dhe deputeti Gianluca Rizzo, kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, si edhe përfaqësues të forcës “Guardia di Finanza” në Shqipëri.
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Kodheli, theksoi ndjenjat e thella miqësore që ekzistojnë prej shekujsh midis popullit shqiptar dhe atij italian, si dhe lidhjet e ngushta historike midis dy vendeve tona.
Ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momentet e të vështira që kanë kaluar, sikurse dhe në rrugëtimin e tyre të integrimit evropian.
Në këtë kuadër ajo përshëndeti nismën e kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Italian, Piero Fassino, për procesin e konsultimeve që ai po zhvillon prej disa kohësh me homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve që kanë dhe marrin kryesinë e BE, lidhur me mbi proceset integruese të këtij rajoni dhe veçanërisht mbi sfidat, rrugët dhe përpjekjet e përbashkëta që nevojitet të ndërmerren për përshpejtimin e këtij procesi.
Duke folur për partneritetin e ngushtë midis dy vendeve në NATO, Kodheli vuri theksin në sfidat e përbashkëta të sigurisë e më konkretisht në rrezikun e rritjes së influencës së faktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit dhe nevojën e një angazhimi serioz e bashkëpunimi të ngushtë për përballimin e tyre.
Një tjetër pikë ishte ajo e nevojës së gjetjes së një zgjidhje për sa i përket çështjes së pensioneve, e cila prek një numër të madh emigrantësh shqiptarë që punojnë e jetojnë në Itali dhe mirëqenien e familjeve të tyre.
Ambasadori Fabrizio Bucci tha se, ambasada po punon intensivisht për të mbështetur e zhvilluar me tej bashkëpunimin midis të dy vendeve.
Për sa i përket çështjes së pensioneve ai u shpreh se, po shënohet një progres i dukshëm kohët e fundit, veçanërisht edhe falë vizitës së fundit e Kryeministrit Edi Rama në Romë dhe takimit me Kryeministrin Mario Draghi.
Zëvendëskryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, Tomor Alizoti duke folur për lidhjet tradicionale midis dy vendeve u shpreh se midis popujve tanë ekziston një dashuri biologjike.
Alizoti u shpreh se gjatë viteve të diktaturës komuniste, Italia ka qenë dritarja dhe porta e Shqipërisë e hapur drejt Perëndimit. Pas rënies së komunizmit, Italia u bë shtëpia e dytë e shqiptarëve.
Në këtë kontekst, Alizoti shprehu dëshirën që Italia të jetë akoma më e pranishme në Shqipëri dhe për shqiptarët, duke mirëkuptuar problemet që lidhen me varfërinë dhe vlerësuar dinjitetin e tyre njerëzor.
Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Senat, Roberta Pinotti, vuri në dukje se distanca midis Italisë dhe Shqipërisë është aq e vogël, sa gjithçka që ndodh në njërin vend, ndikon edhe tek tjetri. Shqipëria ka përshkuar një rrugë të rëndësishme ka bërë një progres të madh dhe u është përgjigjur të gjitha kërkesave. Tani është koha që edhe BE të mbajë premtimet e veta për hapjen e negociatave.
Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve, Pinotti u shpreh se ato duhet të bëhen më të zhdërvjellëta dhe akoma më intensive.
Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve, Gianluca Rizzo, theksoi se midis popullit italian dhe popullin shqiptar ekziston jo vetëm solidariteti, por një ndjenjë familjariteti të natyrshëm që buron nga lidhjet e tyre shumë shekullore.
“Uroj që takimi ynë këtu në Tiranë të ndiqet së shpejti nga një takim tjetër në Itali”, tha ai.
/j.p/r.e/






















