TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani priti në një takim pune Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca.
Dy drejtuesit e lartë biseduan mbi ecurinë e bashkëpunimit mes institucioneve, lidhur me ankesat e qytetarëve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Metani u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me institucionin e Avokatit të Popullit dhe shprehu vullnetin për forcimin e tij, në funksion të detyrave respektive që u ngarkon ligji, me vëmendje të posaçme në balancimin e parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë, respektimit të të drejtave të individëve, parimit të ligjshmërisë, gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, si dhe atij të ndarjes së pushteteve.
Avokatja e Popullit, Ballanca vlerësoi rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të garantuar zbatimin korrekt të ligjit nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.
Ajo vlerësoi edhe transparencën e komunikimit me qytetarët e publikun mbi punën e ILD-së, si dhe efektivitetin në trajtimin e një numri të konsiderueshëm ankesash ndaj magjistratëve, me gjithë vështirësitë infrastrukturore e në burime njerëzore.
“Nevoja e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë për të pasur kapacitete të përshtatshme për të ushtruar me sukses detyrat e tyre, ka qenë pjesë e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në raportet vjetore që i paraqiten Kuvendit”, u shpreh Ballanca.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Avokatja e Popullit bashkëndanë mendimin se kthimi i besimit të publikut tek drejtësia duhet të jetë prioritet i çdo institucioni në vend.
/j.p/r.e/























