Ballina Flash

“Fillimet e qytetit ilir”, studimi monografik i arkeologut Neritan Ceka

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Libri “Fillimet e qytetit ilir” i prof. dr. Neritan Cekës u promovua dje në kuadër të Panairit të Librit 2021 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ky botim i Akademisë së Shkencave është një studim monografik që vjen pas një përvoje të gjatë të arkeologut Neritan Ceka, i cili mbështetet mbi të dhënat e autorëve antikë, pasi ka gërmuar në qytete ilire dhe pasi ka gjurmuar për dekada me radhë një terren të gjerë të Ilirisë së Jugut.

Arkeologu i njohur akad. asoc. Gëzim Goxha duke përgëzuar autorin për librin, theksoi se “tema e qytetit ilir na çon drejt njohjes në detaje të fizionomisë së jetës në Ilirinë e Jugut gjatë shek. IV-I para Kr. Kjo temë, tanimë e trajtuar, nuk mund të ketë kufij të njohjes shkencore, duke mbetur objekt i shqyrtimit gjithnjë e më të detajuar për arkeologjinë në përgjithësi dhe për atë shqiptare në veçanti”.

“Duke e vështruar në këndvështrime të ndryshme formimin e qyteteve ilire disa e kanë parë të lidhur ngushtë me ndikimin e kolonive helene të bregdetit, ndërsa të tjerë e kanë trajtuar si një fenomen autokton, i lidhur me zhvillimin vendas, që nga vendbanimet e Periudhës së parë të Hekurit”, theksoi Hoxha.

Autori Neritan Ceka ka bërë prezantimin në formën e një leksioni të hapur rreth detajeve dhe fakteve të prezantuara në këtë libër në hulumtim të origjinës së qyteteve ilire.

Prof. Ceka kujtoi se libri i tij ka qenë depozituar si disertacion i shkallës së dytë për kërkimin e gradës “Doktor i shkencave” që në vitin 1992 dhe këshilloi që doktorantët e rinj duhet t’i publikojnë përmes botimit të një libri punimet dhe tezat e tyre shkencore.

Ai bëri një prezantim të librit “Fillimet e qytetit ilir” me skica dhe fotografi nga terreni, duke parashtruar problematikat e lindjes së qytetit ilir.

Prof. dr. Ceka tha se “që në gjurmimet e para, gjeneza e qyteteve ilire është vështruar në këndvështrime të ndryshme. Disa e kanë parë të lidhur ngushtë me ndikimin e kolonive helene të bregdetit. Ndërsa të tjerë e kanë trajtuar si një fenomen autokton, i lidhur me zhvillimin vendas, që nga vendbanimet e periudhës së parë të hekurit”.

Në kontekstin e këtyre argumenteve, duke iu përgjigjur pyetjeve që iu drejtuan gjatë promovimit, prof. dr. Ceka tha ndër të tjera se është i pabazuar opinioni se argumentet e studiuesve dhe arkeologëve të vjetër janë folklorike, që bëhet në emër të një shkence më moderne, ku shpesh qytete me origjinë ilire shpallen si themelime helene, ndërsa solli në vëmendjen e të pranishmëve dëshmi të qarta të periudhave të lulëzimit të qytetërimit antik ilir, kur qytetet luajtën një rol kryesor si qendra prodhimi të mallrave dhe si formuese të tipareve të kulturës ilire.

Prof. dr. Neritan Ceka tha se edhe nga studimet e arkeologëve të shquar si Selim Ismaili, Hasan Ceka e të tjerë është sqaruar qartë shtrirja e kulturës qytetare ilire në pjesën më të madhe të territorit që banohej në Antikitet nga popullsia ilire, duke e lidhur ngushtë me shpjegimin e fillimit të tyre, me problemin e gjenezës së jetës qytetare tek ilirët.

Libri përbëhet nga një vëllim prej 168 faqesh tekst, 128 figurash dhe 16 tabelash me ilustrime, ku paraqitet një sintezë e kërkimeve shumëvjeçare.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKomisioni i Veprimtarive Prodhuese miraton ndryshimet e paketës fiskale 2022
Artikulli tjetërPOLONI – Morawiecki: Miliona migrantë drejt Evropës nëse kontrollet dobësohen