TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj vlerësoi sot mbështetjen buxhetore për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.
Gjatë diskutimit në Kuvend të projektbuxhetit 2022, Xhafaj tha se “një hap tjetër për t’u vlerësuar e përshëndetur pozitivisht nga të gjithë, është përkrahja buxhetore posaçërisht për funksionimin e sistemit të drejtësisë për vitin 2022”.
Sipas tij, “projektbuxheti u jep zgjidhje pjesës dërrmuese të kërkesave për mirëfunksionimin e sistemit dhe institucioneve të tyre”.
“Është lajm shumë i mirë rritja e ndjeshme e buxhetit të SPAK, ku përfshihet Prokuroria e Posaçme dhe BKH. Le të shpresojmë se kjo do të ndihmojë që të shohim rezultate shumë më të mira sesa kemi parë deri më tani. Në këtë pikë, dua të theksoj se buxhetimi për institucionet e drejtësisë, por besoj edhe ato të sigurisë, nuk mund të jetë i ngjashëm me programimin rutinor të institucioneve në varësi të ekzekutivit”, tha Xhafaj.
Ndërsa vuri theksin te pavarësia, Xhafaj tha se “në këtë fushë nuk duhet të mos shohim edhe anën tjetër po aq të rëndësishme, përgjegjshmërin e vet institucioneve në buxhetimin e sistemit, në hartimin e kërkesave dhe administrimin e tij”.
“Problematika të tilla nuk janë vetëm çështje vizioni e këmbëngulje nga drejtuesit e këtyre institucioneve, por besoj se para së gjithash duhet të ndryshojë politikëbërja për konceptimin, diskutimin dhe miratimin e buxhetit për këto institucione në rivlerësimin e funksionimit të mekanizmit tripalësh Qeveri – Kuvend – institucione të sistemit të drejtësisë”, tha ai.
Xhafaj apeloi që vendimmarrja e Kuvendit të jetë përcaktuese e gjithëpërfshirëse për shpalosjen e vizioneve qeverisëse dhe atyre opozitare për ardhmërinë e vendit dhe jo për sherrnajet e politikës së ditës.
Ndërkohë, ai nënvizoi se “me ligj duhet ndaluar çdo formë prokurimi që shmang garën dhe konkurrimin publik qofshin këto PPP, koncesione apo edhe të ashtuquajturat prokurime sekrete”.
/m.m/j.p/r.e/















