Kryebashkiaku Golemi: Mjedisi i pastër, prioritet për buxhetin lokal 2022

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Investimet për një mjedis të pastër, në funksion dhe të zhvillimit të turizmit, janë prioriteti i bashkisë Gjirokastër në buxhetin lokal për vitin 2022.

Sipas kryetarit të bashkisë, Flamur Golemi, kryefjala e buxhetit për vitin e ardhshëm është mirëmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe mbrojtja e mjedisit.

“Në projektbuxhetin që po diskutojmë në dëgjesat publike, kemi parashikuar investime në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Gërhotit, përmirësim të infrastrukturës teknike për depozitimin dhe transportimin e mbetjeve, rritje të numrit të kontenierëve dhe koshave si në lagjet e qytetit ashtu dhe në fshatra”, shprehet kryebashkiaku Golemi.

Në bashkëpunim me komunitetin synohet që investime të tilla të shërbejnë për një mjedis të pastër, i cili do të ishte një pikë e fortë për zhvillimin e turizmit në tërësi dhe aq më tepër të turizmit kulturor dhe agroturizmit në zonën e Gjirokastrës.

Aktualisht në Gjirokastër strukturat e institucioneve publike, pushtetit vendor si dhe komuniteti janë bërë pjesë e nismës kombëtare për pastrimin e mjedisit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.