TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vijon të mbështesë Kuvendin e Shqipërisë në punën për hartimin e Strategjisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Për këtë qëllim OSBE mbështeti zhvillimin e një seminari në Shkodër me pjesëmarrjen e punonjësve të Shërbimin e Teknologjisë së Informacionit të Kuvendit dhe Grupin e Punës e ngritur për këtë qëllim, për të folur rreth hapave të ndërmarrë dhe progresit të bërë në këtë drejtim.
Grupi i punës i njohu pjesëmarrësit me një analizë fillestare të gjendjes së Kuvendit nga këndvështrimi i teknologjisë së informacionit, si dhe bazat për zhvillimin e një strukture të avancuar digjitale për legjislativin, i cili karakterizohet nga digjitalizimi i operacioneve parlamentare, përshtatja me teknologjinë në zhvillim me synim rritjen digjitale, dhe transformimin e gjithëmbarshëm digjital të organit legjislativ.
Një ekspert e-Parlamenti nga Parlamenti Evropian ndau me pjesëmarrësit praktikat dhe përvojat më të mira në këtë fushë, ndërsa më pas diskutuan rreth hapave të ardhshëm për hartimin e strategjisë së TIK-ut, duke përfshirë edhe përcaktimin e objektivave në përputhje me Planin Strategjik të Kuvendit.
Mbështetja për hartimin e strategjisë së TIK-ut të Kuvendit ofrohet në kuadrin e projektit “Mbështetje për Kuvendin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
/a.a/r.e/























