TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Transferta e pakushtëzuar për bashkitë do të jetë në vitin 2022 6.3 miliard lekë më e lartë se sa në 2015-n që përkon me vitin para zbatimit të reformës administrative-territoriale
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2022 janë parashikuar në masën 59.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.3% më shumë se akti normativ i vitit 2021.
Sipas projektbuxhetit, këto shpenzime për vitin 2022 zënë 3.2% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013.
“Me qëllim ruajtjen e stabilitetit të shpenzimeve vendore dhe për mbështetjen e njësive të vetëqeverisjes vendore për përballimin e shpenzimeve të COVID-19, niveli i transfertës së pakushtëzuar për vitin 2022 do të jetë rreth 250 milionë lekë më i lartë se viti 2021. Kjo transfertë, krahasuar me vitin 2015 (viti para reformës administrative-territoriale), është 6.3 miliardë lekë më shumë ose rreth 54.5 % më e lartë”, thuhet në relacionin e p/buxhetit.
Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2022, 18.7 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 8.75 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, transferuar në nivel vendor. Si rrjedhojë, në vitin 2022, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 27.45 miliardë lekë.
Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2021 do të jenë 27.6 miliardë lekë ose 6 % më të larta se sa i pritshmi i vitit 2021 dhe pothuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015.













