Ballina Flash

​Autoriteti i Konkurrencës: Nuk kemi mandat që të rregullojmë çmimet

PRISHTINË, 29 tetor/ATSH/- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), ka sqaruar se nuk kanë mandat që të rregullojnë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi. Sqarimi erdhi se kohët e fundit në AKK janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimeve të produkteve.

Megjithatë, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK thotë se ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër AKK ka risqaruar rolin e saj.

“Kohëve të fundit, në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK) janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës. Për këtë arsye, përmes kësaj deklarate për media, sqarojmë se AKK, ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi. Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg. Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar). Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Tutje thuhet se “Natyrisht, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër. Përveç kësaj, AKK në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKursi i këmbimit, forcohet euroja, dollari humbet terren
Artikulli tjetërLegalizohet pallati i ndërtuar në 2007-ën në “Don Bosko”