TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot Aktin Normativ nr. 29, datë 13.9.2021 “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3 datë 18.1.2021”.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në Komision tha se, Shqipëria është e parafundit në rajon sa i përket vaksinimit.
“Jemi pas Kosovës, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për shifra që i themi ne, janë shifra zyrtare’, tha Bardhi.
“Ne jemi vendi i vetëm bashkë me Zimbabven ku Ministria e Shëndetësisë është nën hetim nga prokuroria për përdorim të tenderëve sekretë dhe vjedhje të fondeve publike gjatë pandemisë”, tha Bardhi.
Bardhi u shpreh se PD nuk e kundërshton marrëveshjen. “Kompania Pfizer është serioze dhe ne nuk kemi nevojë fare ta lexojmë atë marrëveshje, sepse i besojmë kompanisë. Vota jonë është pro marrëveshjes dhe i ribashkohem apelit drejtuar qytetarëve për t’u vaksinuar”, u shpreh ai.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Komision mbrojti këtë akt duke thënë se këto doza së bashku me marrëveshje të tjera në vazhdim do të shërbejnë për të rritur mbulesën vaksinale apo për t’iu përgjigjur të gjithë skenarëve që mund të kemi në muajt në vazhdim si vaksinimi me dozën e tretë.
/j.p/r.e/























