LONDËR, 1 tetor /ATSH-AFP/ – Karta e identitetit nuk do të jetë më e përdorshme, duke filluar nga sot, për t’u kthyer në Britaninë e Madhe, që tani kërkon që qytetarët evropianë ose zviceranë të paraqesin një pasaportë, një nga pasojat e fundit të Brexit.
Në një deklaratë, Zyra e Brendshme e BM-së tha se ndryshimi “do të parandalojë bandat e organizuara kriminale dhe të tjerët të abuzojnë me sistemin”, pasi kartat e identitetit thuhet se janë një dokument “i pasigurt”.
Sipas të dhënave të saj, 48 për qind e dokumentave të rreme të zbuluara në vitin 2020, në kufirin britanik, ishin karta identiteti evropiane ose zvicerane.
“Këto dokumenta janë më të lehta për t’u falsifikuar, sesa pasaportat dhe disa nuk përfshijnë të dhëna biometrike”, shpjegoi ministria.
Masa e re, e shpallur një vit më parë, është pjesë e një plani gjithëpërfshirës të emigracionit për të shënuar një shtrëngim të premtuar të Brexit, të cilin ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel, e përshkroi në deklaratë si “i ashpër për ata të cilët kërkojnë të abuzojnë me sistemin dhe i drejtë ndaj atyre që luajnë sipas rregullave
Përjashtimet e vetme: shtetasit irlandezë, si edhe shtetasit evropianë ose zviceranë me status banimi (të përkohshëm ose jo) në BM, të cilët do të jenë në gjendje të vazhdojnë të përdorin kartë identiteti deri më 31 dhjetor 2025./ /ervo/






















