Ballina Flash

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, IKTK: Bëjeni pjesë të itinerareve tuaja turizmin kulturor

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ 29 shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, e shpallur nga Ministria e Kulturës që prej vitit 2003.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.

Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apolonisë nga vjedhja. Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.

Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore thekson se “sot dhe çdo ditë të vitit, jemi të fokusuar në misionin e rëndësishëm të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, jo vetëm nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese në monumente, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës, për t’i bërë të gjitha asetet kulturore sa më të prekshme nga vizitorët”.
“Turizmi kulturor ofron një larmishmëri sitesh, objektesh, muzesh etj., të cilat presin përgjatë gjithë vitit të vizitohen nga ju. Bëjeni pjesë të itinerareve tuaja turizmin kulturor dhe do të kuptoni se sa shumë kemi ende për të mësuar nga historia e vendit tonë”, shprehet IKTK.
IKTK publikoi gjithashtu pamje nga Kisha e Shën e Premtes, në fshatin Lukovë, monument kulture i kategorisë I, të restauruar së fundmi. Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli XVII. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.
/k.s/a.a/r.e/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStërvitja “Mnela 21”, Peleshi: FA më të afta dhe më të mirëpajisura
Artikulli tjetërSiguria rrugore, punime në aksin Elbasan-Qafë Thanë