Ballina Bota

FOKUS – ”Freedon House”: Kina kryeson mungesën e lirisë së internetit

UASHINGTON, 27 shtator /ATSH-ANSA/ – Liria e internetit në botë është ende në rënie për të njëmbëdhjetin vit radhazi, sipas ”Freedom House”, që shton se Kina është në krye të renditjes.

”Renditjen e mungesës së lirisë së internetit e kryeson Kina, ndërkohë që ajo është përkeqësuar në Mianmar, por edhe SHBA gjithashtu ka pësuar rënie për të pestin vit radhazi”, thuhet në raportin vjetor të ”Freedom House”, organizata joqeveritare ndërkombëtare që kryen aktivitete kërkimore dhe ndërgjegjësuese mbi demokracinë, liritë politike dhe të drejtat e njeriut.

”Freedom House” shqyrtoi 70 shtete dhe vlerësoi 21 tregues të ndryshëm siç janë pengesat për të hyrë në rrjet, kufizimet në përmbajtje që mund të publikohen si dhe shkeljen e të drejtave të përdoruesve.

Raporti, nënvizon se vitin e fundit, 48 vende nga 70 të analizuar, thënë ndryshe 88% e përdoruesve globalë, kanë përgatitur rregulla të reja për kompanitë teknologjike në lidhje me përmbajtjen, të dhënat dhe konkurrencën.

“Me disa përjashtime pozitive, shtysa për të rregulluar industrinë e teknologjisë, e cila në disa raste rrjedh nga probleme reale të tilla si ngacmimi në internet dhe praktikat manipuluese të tregut, shfrytëzohen për të shtypur lirinë e shprehjes dhe për të arritur qasje më të madhe në të dhënat private, ku viktima janë përdoruesit”,shpjegon organizata./   /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakViti i ri shkollor, Xhixho: 10 mijë fëmijë më pak në klasën e parë se një vit më parë
Artikulli tjetërTransporti me rrugë ajrore rritje dyshifrore