Ballina Flash

Viti i ri shkollor, Xhixho: 10 mijë fëmijë më pak në klasën e parë se një vit më parë

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho shprehet sot në ditën e nisjes së vitit të ri shkollor se, “emocioni i bukur, edhe me lot nënash që nisin bijtë dhe bijat në klasën e parë dhe ankthi i të vegjëlve që për herë të parë do të ulen në bankat e shkollës, vjen këtë vit shoqëruar me një varg pasigurish”.

“Sot duhet të ishte dita e paharrueshme, fokusuar në fotot që të shoqërojnë gjithë jetën. Por, fatkeqësisht nuk është kështu. Nis sot një vit i ri shkollor i pazakontë, sfidues, diktuar jo vetëm nga kushtet e pandemisë që po rëndohet sërish”, theksoi ajo në një reagim.

“Nis sot dita e parë e shkollës për arsimin parauniversitar, që trumbetohet të jetë një prioritet kombëtar, por vetëm si i tillë nuk trajtohet. Fatkeqësisht kjo qeveri tregon me fakte se nuk e ka prioritet edukimin, për sa kohë në programin që sapo miratoi në Kuvend nuk kishte asnjë fjalë për buxhetin e dedikuar për arsimin, që sot është më i vogli në rajon me 2,4 % të GDP, kur duhet të ishte minimalisht 5 % e GDP, për të rritur cilësinë dhe garantuar punësim të sigurt”, tha Xhixho.

“Këtë vit, shkollat presin 10 mijë fëmijë më pak në klasën e parë se një vit më parë, ndërkohë që shumë shkolla mbyllen në Elbasan, Shkodër etj., dhe 350 mësues rrezikojnë vendin e punës për mosplotësim të orëve sipas planit”, shton ajo.

“Sipas Eurostat mësuesit tanë paguhen mesatarisht 20-50 % më pak se në vendet e tjera të rajonit, duke mos iu njohur financiarisht puna e palodhur në kushtet sfiduese të pandemisë. Pandemia dhe keqmenaxhimi i saj në akses të barabartë në mësimin online pati pasojat e saj në edukimin e brezave”, nënvizon Xhixho.

“Raporti i fundit i Bankës Botërore, theksonte se, në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore. Shumë nxënës nuk kanë pasur qasje në internet gjate pandemisë dhe nuk kanë pasur platforma efikase të të mësuarit online. Për rrjedhojë, më shumë se 60 % e nxënësve kanë humbur mundësitë për të përfituar njohuritë sipas programeve dhe kurrikulave mësimore”, shton ajo.

“Ndërkohë që grumbullimet vazhdojnë normalisht”, vijon Xhixho, “këtë vit do vijohet me mësimin me turne, orë të reduktuara, që nuk siguron cilësinë e mësimit dhe shkakton lodhje për nxënësit dhe mësuesit. Në kushtet kur mësuesit janë të vaksinuar ose kanë test por dhe nxënësit kanë detyrimin e mbajtjes së maskës dhe respektimin e rregullave të pandemisë”.

Xhixho thekson se, “LSI ka propozuar politika konkrete për rritjen e buxhetit të arsimit dhe të cilësisë, që nëse zbatohen do të ndikojnë direkt në këtë sektor kaq jetik.

Ne jemi konkretë teksa propozuam urgjencën për: Rritjen e buxhetit për arsimin në 5 % të PBB nga të cilat 3 % t’i dedikohen arsimit parauniversitar, 1.5 % arsimit të lartë dhe 0.5 % kërkimit shkencor, përmes taksës së solidaritetit. Vendosjen e taksës së solidaritetit për arsimin në masën 1 % të fitimit të 200 kompanive më të mëdha. Me rritjen e cilësisë së arsimit ato përfitojnë burime njerëzore të kualifikuara për kompanitë dhe të rinjtë aftësohen për konkurrencën në tregun e punës. Rritje pagash për mësuesit deri në dyfishim dhe rregullimin e profesionit të mësuesit me një status të veçantë që i garanton ata profesionalisht dhe ndihmon në rritjen e cilësisë dhe performancën në mësimdhënie”, shprehet Xhixho.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakViti i ri shkollor, Drejtori i Rendit Publik, Vasili: Masa shtesë, patrullim në çdo institucion arsimor
Artikulli tjetërFOKUS – ”Freedon House”: Kina kryeson mungesën e lirisë së internetit