Rritje e vaksinimit me 2 doza, Bino: Gjirokastra dhe Delvina me mbulesën më të mirë vaksinale

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Shefja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, prof. Silva Bino deklaroi sot se gjatë kësaj jave ka pasur një rritje të vaksinimit në lidhje me dozat e dyta dhe ka pasur edhe një përmirësim në mbulesën vaksinale të bashkive të ndryshme.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino tha se “bashkia e Durrësit ka dalë nga zona e kuqe, që është me mbulesën më të ulët vaksinale. Sa i përket bashkisë që ka mbulesën vaksinale më të mirë me një dozë tek 80 % dhe me dy doza tek 60 % është bashkia Gjirokastrës dhe Delvinës dhe në veri kemi dy bashki, bashkia e Mirditës dhe e Pukës. Përveç Durrësit në veri kemi përmirësim të mbulesës vaksinale në bashkinë e Tropojës dhe Kukësit”.

“Nga ana tjetër ajo çka vihet re është që arsimtarët e shkollave të mesme kanë një mbulesë më të mirë vaksinale krahasuar me edukatoret e kopshteve dhe çerdheve dhe pedagogët e universiteteve. Ata që kanë kryer vaksinën me dy doza shkojnë tek 66 % në krahasim me pjesën tjetër, e cila është më e ulët”, – tha Bino.

Bino u shpreh se “nga tjetër përdorimi i vaksinës është një indikator i performancës së kryerjes së vaksinimit dhe është për të gjitha vaksinat mbi 80 % dhe tregon që nuk ka vaksinë që të ketë skaduar në vendin tonë dhe të mos jetë përdorur. Përkundrazi, është përdorur përkundrejt të gjitha rregullave, pra nuk kemi humbje, vazhdojmë me zero humbje të vaksinës, kjo tregon rëndësinë e programit të vaksinimit”.

“Kemi mbulesë vaksinale të lartë, por kemi akoma nevojë për një rritje të vaksinimit për të gjitha grupmoshat dhe për të arritur tek shifrat 95 % për të gjitha grupmoshat”, – tha Bino.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.