Hapen regjistrimet, FSHF: Në tetor nis kursi i radhës formimi për fizioterapistët

TIRANË 22 shtator /ATSH-I.Vata/ Do të nisë në muajin tetor kursi i radhës për formimin e fizioterapistëve, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Ky kurs, që do të udhëhiqet nga departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF, do të marrë udhë më datë 13 tetor 2021 dhe do të jetë i ndarë disa faza për t’u përmbyllur me provimet finale më muajin korrik 2022.

Lektorët kryesorë do të jenë dy përfaqësuesit e departamentit të Mjekësisë Sportive, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë.

Në këtë kurs do të pranohen maksimalisht 30 studentë pas seleksionimit prej komisionit dhe kërkesa për regjistrim, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën [email protected], përmes postës së zakonshme në adresën rr. “Liman Kaba”, Nd. 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë, ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 06.10.2021.

Për informacione të mëtejshme dhe kriteret e nevojshme për pjesëmarrjen në këtë kurs të interesuarit mund të kontaktojnë në adresën e postës elektronike: [email protected]

Ky kurs për mjekësinë sportive nuk është i pari, teksa është pjesë e një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standardeve më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Prej kohësh FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët e rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, institucionet spitalore si dhe federatat e tjera sportive në vend.

Federata dhe presidenti Duka kanë vendosur tanimë të investojnë fuqishëm në formimin e stafeve teknike, që nga trajnerët e deri te përgatitësit atletikë, mjekët fizioterapistët, videoanalistët, për të vijuar me zhvillimin e qëndrueshëm dhe të sigurt për futbollin në vendin tonë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.