Ballina Bota

COVID-19 – FDA voton për autorizimin e dozës përforcuese

UASHINGTON, 20 shtator /ATSH/ – Këshilltarët për Vaksinat në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave kanë votuar për të rekomanduar autorizimin e përdorimit urgjent të një doze përforcuese të vaksinës së Pfizer për mbi 65-vjeçarët dhe personat në rrezik të lartë nga COVID-19, gjashtë muaj pas injektimit të dy dozave të para, sipas CNN.

Megjithatë, Komiteti Këshillimor i Vaksinave dhe Produkteve Biologjike të FDA-së hodhi poshtë një aplikim më të gjerë për miratimin e dozës përforcuese për të gjithë personat 16 vjeç e lart, gjashtë muaj pasi janë vaksinuar plotësisht.

Disa nga këshilltarët, një grup ekspertësh të vaksinave, imunologë, pediatër, specialistë të sëmundjeve infektive dhe ekspertë të shëndetit publik, u shprehën se procesi ishte i nxituar, kurse disa anëtarë thanë gjatë takimit se donin të shihnin më shumë të dhëna.

Grupi mbështeti njëzëri autorizimin për grupin më të kufizuar në rrezik më të lartë dhe informuan jozyrtarisht FDA-në që të përfshijë punonjës të kujdesit shëndetësor ose të tjerë në rrezik të lartë ekspozimi ndaj COVID-19.

FDA-ja pritet tani të hartojë vendimin e saj, me kërkesën e Pfizer, duke marrë parasysh udhëzimet e komitetit./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinistria e Shëndetësisë: 451 raste të reja dhe 7 humbje jete nga COVID-19
Artikulli tjetërSiguria ushqimore, 137 kontrolle, bllokohen 788 kg produkte