Përfundon regjistrimi fillestar në zonën e Balldrenit, Elbasan

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishin sot në zonën e Balldrenit ku bënë të ditur se ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar.

Përmes procesit të regjistrimit fillestar që sapo përfundoi, u regjistruan 1230 pasuri tokë bujqësore, banesa në proces legalizimi, si edhe banesat e vjetra të fshatrave.
Lame e ka quajtur sfidë të vitit 2021 regjistrimin e tokave bujqësore të fituara me ligjin 7501.

Tashmë Kadastra e Elbasanit e ka mbyllur detyrën e saj për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të pajisen me certifikatë pronësie, tani i takon vetë qytetarëve që, nëpërmjet portalit e- Albania, të aplikojnë për t’u pajisur me certifikatë pronësie.

Kryetari i bashkisë, Llatja ju bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë në mënyrë që në vijim të përfitojnë edhe nga grantet e bujqësisë, apo të naftës për fermerët. “Marrja e certifikatës së tokës do ju vijë në ndihmë për të përfituar nga projektet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural”, theksoi ai.

“Tani ne e mbaruam punën që ishim zotuar se do të bënim regjistrimin fillestar. Tani ju takon juve që të aplikoni në e-Albania për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë. Në kohë rekord ju do të pajiseni me certifikatë nga drejtoria e Elbasanit. Për të mos humbur këto mundësi që shteti jua ofron, aplikoni që të përfitoni. Nëpërmjet certifikimit të tokës, ju do të keni mundësi edhe të kryeni transaksione të pronës”, deklaroi Lame.

Gjatë ceremonisë, Lame dhe Llatja dorëzuan certifikatat për një numër banorësh që kishin aplikuar përmes portalit e-albania.

Në qarkun e Elbasanit brenda këtij viti janë legalizuar 1270 banesa duke e cuar në 18.600 banesa numrin e përgjithshëm të legalizimeve për këtë qark. Gjithashtu gjatë këtij viti janë certifikuar edhe 2150 parcela të tokës bujqësore. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.