Ballina Flash

Pragndeshja me Hungarinë, Reja-Berisha: Vendimtare për të dyja ekipet

TIRANË, 4 shtator /ATSH – I. Vata/ Në prag të sfidës së radhës që Shqipëria do të luajë ditën e diel (5 shtator 2021) ndaj Hungarisë, e pesta ndeshje e kuqezinjve, ditën e sotme kanë dalë në një konferencë zyrtare për mediat trajneri i Kombëtares Edoardo Reja dhe kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha. Kjo sfidë që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan dhe do të nisë në ora 18:00 do të rikthejë tifozët në stadiume, me një kapacitet të limituar prej 30%.

Trajneri Reja, teksa iu përgjigj interesit të medias shqiptare, por edhe hungareze u shpreh se kundërshtari është një ekip shumë i fortë dhe cilësor, por lojtarët e Kombëtares kanë shumë cilësi dhe duhet të fokusohen për të marrë 3 pikët.

Sipas Rejas, kjo ndeshje mund të cilësohet si vendimtare për të dyja skuadrat, për të qëndruar në lojë për vendin e dytë.

Gjithashtu, ai komentoi edhe ndeshjen që Shqipëria zhvilloi tre ditë më parë ndaj Polonisë, si dhe foli për mungesat, futbollistët që mund të aktivizojë ditën e nesërme si dhe modulin e lojës që mund të përdorë. Në fund, tekniku kuqezi u shpreh i lumtur për rikthimin e tifozëve në stadium, të cilët i sheh si një burim frymëzimi për skuadrën.

“Kemi një ndeshje për të rikuperuar ndaj Hungarisë, pas atij rezultati, mendoj të padrejtë që patëm në Poloni. Pres një ndeshje të mirë nga skuadra ndaj Hungarisë, duhet të bëjmë një paraqitje ashtu siç bëmë në Poloni, pasi nëse i hedhim një sy rezultatit, 4-1 duket sikur na kanë masakruar, por në fakt nuk ishte ashtu. Skuadra bëri një paraqitje të mirë, pati ato momentet e veta që humbi përqëndrimin, pati ato momentet e veta ku humbi përqëndrimin, por në vija të përgjithshme bëri një lojë të mirë. Dua sërish të shikoj po atë frymë ekipi, shpresoj që ta rigjejmë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë. Sa i përket Polonisë, sigurisht pas golit të tretë, gjërat u kompromentuan, por një humbje me Poloninë qëndron. Gjithsesi ne jemi ende në këmbë, kemi një ndeshje ndaj Hungarisë që duhet fituar. Kemi shanset për të arritur objektivat akoma, jemi në lojë. Çdo ndeshje është vendimtare sipas meje në këtë pikë. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, Hungaria ka një skuadër shumë të fortë, shumë të përgatitur dhe cilësore, por ne duhet të fokusohemi 90 minuta dhe të jemi të ndërgjegjshëm për aftësitë që kemi dhe të marrim 3 pikë”, tha ai.

Edhe kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha theksoi se ndeshja e nesërme është e rëndësishme për të dyja ekipet, ndërsa tha se Shqipëria ka filluar të ketë rritje si skuadër, duke treguar personalitet në çdo ndeshje.

Kapiteni u shpreh se djemtë janë të motivuar, teksa i lumtur për rikthimin e tifozëve në stadiume,  shpreson që numri i tyre të jetë sa më i madh.

“Jemi të gjithë të vetëdijshëm për lojën që kemi bërë ndaj Polonisë. Kemi bërë shumë gjëra të mira, por duhet edhe t’i eliminojmë disa gjëra, ku teksa morëm golat, nuk kemi qenë shumë të vetëdijshëm për ato momente, edhe pse jemi munduar që t’i përgatisim përpara lojës. Këto gjëra të mira duhet t’i marrim me vete dhe duhet të mësojmë prej këtyre gjërave, sidomos nga golat. Mendoj se me atë ndeshje që zhvilluam, duhet të merrnim shumë më shumë se kaq që bëmë. Duke parë rezultatin që është shumë negativ, ne do të mundohemi që në ndeshjen e ardhshme, të japim edhe më shumë. Të eliminojmë gabimet dhe të rikthehemi te fitorja”, tha ai. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë, 21 humbje jete dhe 1278 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërAFGANISTAN – Talebanët fshijnë muralen ikonike të ArtLords