Ballina Aktualitet

PS nuk duhet të merret peng nga rrethe të privilegjuara e figura të konsumuara

TIRANË, 2 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Partia nuk duhet të merret peng nga rrethe të privilegjuara brenda saj, nga figura të konsumuara apo pa cilësitë e nevojshme”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Rama tha se “reduktimi i partisë në një armatë rezervistësh vetëm për zgjedhje i heq asaj një ushqim thelbësor me aspirata e kritika”.

“E vërteta e hidhur është se pavarësisht dallimeve tona të mëdha me rivalët tanë, pasqyra e partive shqiptare në pushtet prej 30 vitesh në sytë e komunitetit ngjan si një copë e filmit ‘Koncert në vitin ’36’. Kemi një tufë drejtorësh dhe shefash që rendin ta rrethojnë deputetin apo të deleguarin sapo të shfaqet në territor dhe të gjithë bashkë rrethojnë kryetarin e partisë kur zbret në territor”, tha Rama.

Duke folur për këtë rreth të privilegjuarish, Rama tha se “këtu flas për strukturën keqbërëse që është një nga armiqtë e transformimit jetik që ne na duhet doemos nëse  duam një parti që të rifitoj besimin e shqiptarëve”.

“Shembëlltyra e asaj partie kapardisur nëpër rrugë e kafene, duhet zhdukur nga sytë e popullit nëse duam që shqiptarët të na afrohen shumë më shumë mes dy palë zgjedhjesh dhe nëse duam që Shqipëria e kësaj periudhe të historisë që ne kemi fatin ta shkruajmë aq sa na takon të jetë ngjitur në majën ku ne na takon ta çojmë. Pastaj të kalojnë stafetën te brezat e tjerë që ta çojnë më lart”, tha Rama.

Rama kërkoi që “PS duhet të bëhet përditë e më shumë një komunitet njerëzish që jeton me aspiratën e madhe për t’i sjellë Shqipërisë drejtësi e mirëqenie”.

“5500 dyert e organizatave tona në krejt territorin e Shqipërisë duhet të hapen mundësisht për qindra mijëra njerëz, për të kultivuar qytetarinë demokratike, mendimin dhe aktivizmin politik, vullnetarizmin dhe solidaritetin social dhe jo për të marrë e për të dhënë punëra në shtet për vete dhe për krushqinë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “janë bërë shumë përpjekje në këtë drejtim dhe jemi nisur shumë herë drejt këtij qëllimi me fushata hapje e prurje të reja, ture në gjithë Shqipërinë e borde qytetare etj, por përmirësimet kanë qenë gjithnjë të pamjaftueshme dhe rezultatet jo në lartësinë e duhur”.

“Nuk është e lehtë, por të harrosh një qëllim aq themelor për shëndetin e një partie politike si e ajo për vlerën e kapitalit njerëzor dhe fillimin e transformimit të vazhdueshëm të partisë në një komunitet të gjallë vlerash shoqërore është si të pajtohesh qorrazi dhe të kyçemi brenda një rrethi vicioz dhe t’i shkurtosh frymëmarrjen në rrugën e suksesit afatgjatë partisë”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAFGANISTAN- Zbret avioni i parë në Aeroportin e Kabulit nën kontrollin e talibanëve
Artikulli tjetërSHBA- De Blasio shpall emergjencën në New York City pas reshjeve rekord të shiut