TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Qyteti Studenti është mbushur këto ditë me refugjatë afganë, që kanë lënë pas tmerrin e luftës, por edhe familjarët e tyre në një Afganistan të trazuar dhe kanë gjetur strehë në Shqipëri.
37 shtetas afganë mbërritën në orët e para të ditës së sotme në Shqipëri dhe u akomoduan në Qytetin Studenti, në godinat 11 dhe 12, për t’u transferuar në vijim në struktura hoteliere në bregdet.
Nën përkujdesjen e stafit të bashkisë së Tiranës dhe Qytetit Studenti, ata vijuan sot me kryerjen e procedurave të regjistrimit pranë autoriteteve policore, teksa morën edhe shërbimet e nevojshme shëndetësore pranë një qendre shëndetësore të ngritur brenda godinave.
Njëri prej tyre, Nuzeim Mustafa rrëfen për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, arsyet që e detyruan të linte vendin dhe gjithë jetën e mëparshme.
“Ne u arratisëm nga talebanët, pasi jetët tona ishin në rrezik në Afganistan. Talebanët na kishin paralajmëruar se do të na vrisnin dhe kjo është arsyeja përse jemi këtu sot”, tregon ai.
Ai thekson se ende nuk e di për sa kohë do të qëndrojë në vendin tonë, teksa shprehet se destinacion final ndoshta do të ketë SHBA-në ose Kanadanë.
“Nuk e di me saktësi, por do të qëndrojmë këtu së paku për ca kohë, pastaj ndoshta do të mund të shkojmë në SHBA ose Kanada”.
Ai shton se prindërit e tij ndodhen ende në Afganistan dhe thekson se jeta e tyre është në rrezik.
“Këtu ia dolëm të vinim vetëm unë dhe dy xhaxhallarët e mi. Vetëm ne të tre. Pjesa tjetër e familjes sime janë ende në Afganistan. Nëna dhe babai im janë atje dhe jeta e tyre është në rrezik”, shprehet ai.
Nuzeimi shprehet se e ka ngritur zërin disa herë për situatën në Afganistan, por nuk e kanë dëgjuar.
“Situata atje është shumë më e rëndë se sa mund ta mendojë gjithkush. Sepse atje askush nuk është i sigurt për të ardhmen. Vendi nuk ka më një sistem arsimor dhe asgjë tjetër. Gjithçka u shkatërrua me ardhjen e talebanëve. Kjo është arsyeja përse jemi këtu, që të kemi një të ardhme më të mirë. Isha student në vitin e fundit në gjimnaz. Ne dëshironim të ndihmonim Afganistanin dhe popullin tonë dhe prandaj e ngritëm zërin, por kjo nuk pati asnjë vlerë. Ne e kemi ngritur zërin shumë herë, duke paralajmëruar se Afganistani është në rrezik, por askush nuk na e vuri veshin. Madje as nuk reaguan për të na trajtuar si njerëz”, thekson ai.
Ai falënderon edhe Shqipërinë për mikpritjen, teksa shprehet se vendi ynë është shumë i bukur dhe paqësor.
“Shqipëria është shumë e bukur, një vend paqësor dhe i sigurt. Të gjithë këtu jetojnë në paqe”, thotë ai.
Ndërsa një tjetër i ri afgan, Mustafa Brou, i cili ka mundur të mbërrijë në Shqipëri së bashku me familjen e tij, shprehet shumë falënderues ndaj vendit tonë.
Ai tregon në një intervistë për ATSH-në arsyet që e shtynë të largohej nga vendi i tij. Ai rrëfen se situata në Afganistan është shumë e rrezikshme, pasi talebanët kanë marrë kontrollin e vendit.
“I shpëtuam ndjekjes nga talebanët. Situata në Afganistan është shumë e rrezikshme për çdo familje dhe këdo që jeton sot në Afganistan, pasi rrezikojnë të vriten”, tha ai.
Ai tregon se pas qëndrimit në Shqipëri, së bashku me familjen e tij do të shkojë në SHBA, teksa thekson se motra e tij e vetme ka mbetur ende në Afganistan.
“Pas një viti, nga këtu ne do të shkojmë në Shtetet e Bashkuara. Familja ka ardhur me mua, por motra ime e vetme ka mbetur atje, pasi qyteti ku ajo jeton është larg Kabulit dhe për pasojë nuk mundi të kapë avionin, me të cilin supozohej që të largohej nga Afganistani, për shkak të kontrollit të ashpër nga komandantët dhe militantët talebanë”, rrëfen ai për ATSH.
Mustafa bën një apel për faktorin ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare për të ndihmuar popullin afgan, pasi situata është mjaft e vështirë.
“Gjatë kohës në Afganistan kam punuar si doktor, si vaksinator dhe si përkthyes për forcat e NATO-s. Tani situata në Afganistan është shumë e rrezikshme dhe nën kontrollin e plotë të talebanëve. Komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat ndërkombëtare duhet t’i ndihmojnë afganët, pasi një numër i madh njerëzish në rrezik kanë mbetur atje. Ata duhet të ndihmohen, sepse ne të gjithë jemi njerëz të pafajshëm”, thekson ai.
Ai shpreh mirënjohje për popullin shqiptar për mbështetjen dhe akomodimin.
“Mirënjohje për popullin shqiptar për mbështetjen! Falënderojmë të gjithë vendet, por veçanërisht Ukrainën dhe Shqipërinë që na kanë qëndruar pranë dhe na kanë ndihmuar”, thotë ai.
/j.p/r.e/






















