Ballina Bota

NORVEGJI – Rihapja totale e kushtëzuar nga vaksinimi kundër COVID-19

OSLO, 13 gusht /ATSH-AFP/ – Heqja e kufizimeve shëndetësore në Norvegji do të jetë e kushtëzuar me vaksinimin e popullsisë së saj, në mënyrë që të mbrohet nga një valë e re e pandemisë COVID-19, njoftoi sot qeveria.

“Hapi përfundimtar në heqjen e kufizimeve do të zbatohet tri javë pasi kushdo mbi moshën 18 vjeç të jetë vaksinuar me dozën e parë”, tha qeveria, që tani pret heqjen e kufizimeve rreth 6 shtatorit.

Deri më sot, rreth 87,2% e popullsisë së rritur ka marrë të paktën dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 në Norvegji.

Por, vetëm disa ditë para fillimit të vitit shkollor, autoritetet kanë frikë nga një rritje e rasteve të infektimit.

“Gjatë tri javëve të ardhshme (…), edhe pse jemi vaksinuar, ne duhet të vazhdojmë të ruajmë distancën nga njëri -tjetri në hapësirën publike, të qëndrojmë në shtëpi kur jemi të sëmurë, të testojmë veten dhe t’i mbajmë duart të pastra”, tha ministri i Shëndetësisë, Bent Høie, në një konferencë për shtyp.

“Numri i infeksioneve po rritet dhe ne po shohim fillimin e valës së katërt”, shtoi ai.

Sidoqoftë, qeveria njoftoi sot, gjithashtu, përfundimin e masës së arsimit në distancë për studentët.

Norvegjia, ku epidemia COVID-19 është kryesisht nën kontroll, filloi në mes të qershorit fazën e tretë të planit të saj me katër faza për të hequr kufizimet.

Vendi ka regjistruar 143 207 raste me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, përfshirë 808 vdekje./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOKB, pullë postare për të nderuar “Nënë Terezën”
Artikulli tjetërZjarret, përpjekje koordinuese midis ekipeve shqiptare, amerikane, çeke dhe holandeze