Ballina Flash

Zjarret, mbërrin helikopteri me kapacitet 1 mijë litra nga Republika Çeke

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Nga Republika Çeke ka mbërritur sot helikopteri i parë, nga 3 të tillë që priten të vijnë në Shqipëri për të përballuar situatën me zjarret, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Në një prononcim për medie nga aeroporti i Rinasit, Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, Jaroslav Ludva tha se helikopteri ka kapacitet 1000 litra dhe do të qëndrojë këtu përgjatë 1 jave.

“Nesër herët në mëngjes do të ikim në Vlorë, në Karaburun, për të luftuar me zjarret. Helikopteri do të qëndrojë për një javë dhe do të luftojmë deri në fund. Koha është e përcaktuar, por do të shikojmë nëse situata është serioze dhe nëse duhet të qëndrojmë më shumë. Kapaciteti i helikopterit është 1 mijë litra”, tha Ludva.

Ambasadori çek informoi se “ne kemi punuar bashkë me Bashkimin Evropian, sepse ka një mekanizëm në Bruksel dhe tani jemi gati”.

“Ne e dinim se situata ishte agravuar pak në Vlorë, ndaj jemi sot këtu dhe nesër herët do të nisemi për në Vlorë. Shpresoj që situata të jetë më mirë. Kemi pasur komunikim me Ministrinë e Jashtme dhe me Emergjencat Civile”, tha ai.

Duke folur mbi procedurat e ndjekura në raste të tilla, ambasadori Ludva tha se “në fillim paraqitet kërkesa nga qeveria shqiptare dhe kërkesa shkon në Bruksel, ku ka një mekanizëm”. Ai tha se “pala shqiptare ka kërkuar 2 helikopterë dhe jemi këtu si BE me 3 helikopterë, 1 nga Republika Çeke dhe 2 të tjerë nga Holanda”.

I pyetur mbi vlerësimin e situatës për menaxhimin e zjarreve nga pala shqiptare, ambasadori çek tha se “nuk është pyetje për mua, por unë kam besim që çdo gjë bëhet në rregull. Kjo është hera e parë që Republika Çeke ndihmon Shqipërinë me helikopter, por kemi ndihmuar para dy vitesh me tërmetin. Uroj gjithë të mirat për shqiptarët dhe kam besim se do të bëhet mirë”.

Ndërsa, shefi politik i delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin, tha se ndihma që vjen nga Bashkimi Evropian është shenjë e solidaritetit evropian.

“Jam këtu për të përforcuar mesazhin e ambasadorit çek. Jemi këtu për të mirëpritur helikopterin nga Republika Çeke dhe pak më vonë do të presim dhe helikopterin që do të vijë nga Vendet e Ulëta. Duam t’i qëndrojmë pranë Shqipërisë në këto momente të vështira dhe kjo është një ndihmë që vjen nga ekipi i ‘Europa solidare në veprim’. Jemi këtu për të mbrojtur jetët e njerëzve që po preken nga këto zjarre, por po ashtu edhe bukuritë e Shqipërisë. Nesër do të fillojë puna me helikopterin në bashkëpunim me Emergjencat Civile”, tha ai.

Hupin shtoi se “me ardhjen e helikopterëve, ne po dyfishojmë kapacitetet e helikopterëve që Shqipëria ka për të luftuar zjarret”.

Po ashtu, sipas tij, “në total, 50 % e stafit shtohet me ardhjen e stafit nga Çekia dhe Vendet e Ulëta”.

Drejt vendit tonë pritet të vijnë edhe 2 helikopterë nga Holanda për të mbështetur operacionet për fikjen e zjarreve.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZjarret në Zonat e Mbrojtura, Dedej: Janë të qëllimshme, po vijojmë të bëjmë denoncime në polici
Artikulli tjetërPeleshi: Vatër e re e rrezikshme zjarri në Mashkullorë në Gjirokastër, thirrje për evakuim të banorëve