Ballina Bota

COVID-19 – Macron: Doza e tretë e vaksinës në shtator

PARIS, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron konfirmoi sot se qeveria e tij po përgatitet të organizojë një fushatë nxitëse vaksinimi kundër COVID-19 “në fillim të vitit shkollor”, në shtator, për “personat më të rrezikuar dhe më të moshuar”.

“Po, ndoshta do të na duhet të marrim një dozë të tretë. Jo të gjithë menjëherë, por më të moshuarit dhe më të rrezikuarit (…), në këtë fazë, megjithatë, ne po mësojmë në çdo hap”, shpjegoi Macron në një video nga Fort Brégançon, rezidenca verore e krerëve të shtetit francez.

Përballë hendekut midis vendeve të pasura, ku vaksinat kundër COVID-19 janë të shumta dhe vendeve të varfra, që kanë mundur të imunizojnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së tyre, OBSH ka bërë thirrje për një moratorium “të paktën deri në fund të shtatorit” për administrimin e dozave përforcuese, në një përpjekje për të rivendosur njëfarë ekuilibri.

SHBA-ja tashmë e ka refuzuar këtë thirrje, duke besuar se nuk ka “nevojë” të zgjedhë midis administrimit të dozave të treta për qytetarët e saj dhe dhurimit të vaksinave për vendet e varfra.

Në Francë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, perimetri i saktë i personave të cilëve do t’u ofrohet një përforcues i vaksinave në fillim të vitit shkollor do të jetë subjekt i arbitrazhit “javën e ardhshme”./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZjarri në Gumenicë, Kolonel Muka: Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për banesat
Artikulli tjetër“Shqipëria buzëqesh”, 1 238 036 vaksinime antikovid deri tani