Ballina Flash

Stacion i ri përgjatë tureve në jug, restaurohet Kisha e Shën e Premtes në Lukovë

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Kisha e Shën e Premtes në Lukovë, e restauruar tashmë plotësisht, është kthyer në një stacion të ri përgjatë tureve të vizitorëve në jug të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kishë, e shpallur monument kulture i kategorisë I, e cila tashmë i është nënshtruar restaurimit tërësor që e ka nxjerrë nga gjendja e rrezikut për shembje.
“Mirëmëngjes dhe me Kishën e rilindur të Shën e Premtes në Lukovë, monument i shek. XVII, tani gati për të pritur miqtë vizitorë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Punimet që janë kryer në kishën Shën e Premte në Lukovë, për resturim dhe konservim, e kanë nxjerrë këtë monument kulture nga gjendja e rrezikut.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli XVII. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Regjistrohet temperatura më e lartë historike 46,3 gradë Celsius
Artikulli tjetërEkonomi me ministrin hungarez Nagy: Bashkëpunim në fushën e bujqësisë