TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Forcat e Armatosura janë angazhuar dhe po ndërhyjnë për shuarjen e vatrave të zjarrit, në pyje në zonën e Karaburunit, Vlorë dhe në Cakran të Fierit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë këto ditët e fundit.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri të ditur se, që prej orëve të para të ditës trupat e batalionit të Poshnjes dhe detarët e Pashalimanit janë angazhuar për fikjen e zjarrit në zonën e Karaburunit, duke sfiduar terrenin dhe temperaturat ekstreme.
“Gjithashtu, trupat e batalionit III të Këmbësorisë prej disa ditësh i janë bashkuar përpjekjeve të strukturave lokale për shuarjen e zjarrit në pyllin e Kreshpanit në Cakran të Fierit”, tha Peleshi.
/r.e/






















