Normat e interesit, Banka e Shqipërisë rregullore për mostejkalim limiti

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Banka e Shqipërisë do të vendosë një normë interesi tavan te kreditë konsumatore për individët që pritet të sjellë norma interesi më të arsyeshme dhe të mbrojë interesat e huamarrësve.

Banka e Shqipërisë si rregullator i sistemit financiar ka analizuar dhe ka vërejtur dhe si pasojë e shumë ankesave që kanë ardhur nga subjekte, qoftë qytetarë, qoftë biznese të ndryshme, për normat e larta të interesit të kredisë konsumatore.

Sipas BSH-së, këto institucione financiare, duke qenë se punojnë me donacione ose burime të tjera financimi kanë një kosto më të lartë dhe bazuar në këto kosto kanë dhe norma interesi më të larta dhe tipologjia e kredive që japin këto institucione mbart normë interesi më të lartë kudo, jo vetëm në Shqipëri po në të gjithë rajonin, dhe në të gjithë botën.

Por, thekson BSH-ja, që këto norma interesi kanë një limit dhe për ta rregulluar tregun, për të mos patur tejkalime limitesh në normat e interesit, Banka Qendrore po përgatit një rregullore për të bërë një rregullim të tregut.

Tregu është i lirë dhe raportet e çmimeve janë të lira, por ndërhyrja e BSH-së synon shmangien e abuzimeve në qoftë se ka. Aktualisht po zhvillohet faza e verifikimit dhe studimit të tregut në këtë aspekt.

“Akoma nuk është konkluduar, ndërsa puna analizuese në raport me këtë rregullore do të mbyllet brenda këtij viti dhe rregullorja do të hyjë në fuqi vitin që vjen”, bën të ditur BSH.

BSH-ja, është në konsultim të vazhdueshëm me industrinë dhe institucionet përkatëse. Pasi ato janë alerte për të parë se çfarë ndryshimesh po bën Banka e Shqipërisë, por dhe vetë BSH-ja është e angazhuar të bashkëpunojë me industrinë, para se të bëjë çdo ndryshim rregullativ me fokus ndalimin e abuzimit në këtë treg.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.