TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ish-deputeti Myslim Murrizi deklaroi se po bën gati një denoncim publik lidhur me një tender me vlerë 6.3 milionë euro në Divjakë, që ai dyshon se është një vepër korruptive.
Firma për këtë tender, sipas tij, është hedhur nga ish-ministri i Bujqësisë, sot këshilltar i Presidentit.
“Është një tender me vlerë 6.3 milionë euro, në Divjakë i realizuar nga ministri i LSI-së i Bujqësisë, në 2013-2017 për të vaditur me sistem me pika, Edmond Panariti. Është projektuar për të vaditur me sistem me pika nga lumi Shkumbin por aktualisht nuk funksionon. I kam bërë kërkesë gjatë kohës që isha deputet, më ka kthyer përgjigje ministrja aktuale e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ikonomi. Unë dyshoj se as nuk ka lidhje mes lumit Shkumbin dhe kanalit, është bërë një pompë që nuk funksionon, nuk janë ato kilometrat e tubave që duhet të shtroheshin, dhe nuk vadit as 25 hektarë, jo më 2500 ha”, tha Murrizi gjatë një interviste në një media.
Sipas deputetit Murrizi, SPAK-u duhet të merret me deputetët, kryebashkiakët dhe 300 funksionarë të tjerë, president, kryeministër, zv/ministra, drejtorë të përgjithshëm dhe ata rajonalë.
/j.p/r.e/























