Kryeprokurori Çela: Dosja elektronike sfida jonë, rrit eficiencën dhe ul kostot

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela mori pjesë në tryezën e organizuar sot në Tiranë për 5-vjetorin e Reformës në Drejtësi.

Ai tha se, është një moment i rëndësishëm hartimi i strategjisë ndërsektoriale për drejtësinë në kushtet e pluralitetit të institucioneve të dala nga reforma e vitit 2016.

“Dua të vlerësoj qasjen e treguar nga Ministria e Drejtësisë, në mënyrë sesi u hartua dhe u zbatua ecuria e saj, deri sa kemi arritur në ditën e sotme. Mendoj që u tregua qasje e duhur, misioni dhe vizioni i duhur në konvergimin e prioriteteve. Mendoj se një strategji ndërsektoriale është më tepër se një strategji e një institucioni të vetëm, e cila vlen shumë dhe në kontekstin e realitetit të ri institucional”, u shpreh Çela, teksa tha se, “në këto kushte do të vlerësoja shumë dhe realizimin, që pasqyron vetë strategjia. Ajo merr në konsideratë vakancat e krijuara si dhe merr hapa në drejtim të mbushjes së boshllëqeve ligjore, apo për të rritur eficiencën e sistemit të drejtësisë”.

Kryeprokurori theksoi gjatë fjalës së tij në këtë takim se, “nevoja e hartës gjyqësore, është emergjente”.

“Situata disa nga Prokurorive të vendit është e rënduar, për shkak të vakancave, çka e bën të domosdoshme ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë drejtim”, tha Çela.

Ai vuri në dukje se, “stoku i dosjeve që po krijohet në disa prokurori, do të bëhet gati i papërballueshëm në kushtet e vonesës së organizimit të strukturave të prokurorisë. Ky nuk është i vetmi hap, kërkohet ndërmarrja edhe e masave të tjera. Siç është ndryshimi në ligjin për Shkollën e Magjistraturës, kohëzgjatja e viteve të studimeve për studentët e saj. Unë them që viti i tretë i Magjistraturës të jetë vit pune, ashtu siç ka qenë modeli më parë. Do të ishte një rifreskim i shtuar për sistemin dhe do të jepte efekt në kushtet kur Vetingu është duke ecur dhe pasojat e vakancave do të jenë më të rënduara në vitet në vijim”.

“Një çështje tjetër që e vlerësoj të rëndësishme, – vijoi Kryeprokurori i Përgjithshëm, – ka të bëjë me çështjet që lidhen me rritjen e eficiencës së funksionimit të Prokurorisë”.

“Ka nevojë për rikuilibrim të eficiencave. Garantimi i pavarësisë së prokurorëve duhej shoqëruar dhe me një rritje të llogaridhënies të performancës, gjë që mungon. Mungon matja e performancës institucionale. Mendoj që sot sistemi aktual, kërkon një prokurori që funksionon si një e tërë dhe ka nevojë për përmirësime. Rritja e eficiencës është sfida jonë”, – deklaroi Çela.

Kryeprokurori tha se, “ne duhet të shohim drejt së ardhmes, e cila është dixhitalizimi. Duhet të ecim shpejt. Duhet të dimë se kur do të jemi pas 10 vitesh. Ne duhet të shkojmë drejt dosjes elektronike, ajo duhet të jetë synimi ynë. Ajo do të rrisë eficiencën, do të ulë kostot, burimet njerëzore, do të rrisë kontributin tonë dhe në nivel ndërkombëtar në goditjen e krimit”.

“Vlerësoj largpamësinë që është ndërtuar strategjia që ka marrë parasysh këto vizione që ne kemi dhe është munduar të integrojë brenda një kuadri më të gjerë komunitetesh”, – u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.