Java e hapur, Manastirliu apel qytetarëve të vaksinohen


TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Prej të hënës po vijon vaksinimi i hapur për qytetarët mbi 18 vjeç.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u bëri apel qytetarëve të drejtohen sa më parë pranë qendrave të tyre të vaksinimit.

“Ritme të mira vaksinimi kudo në vend, por ka ende nevojë të zgjerohet mbulesa vaksinale. Ndaj një apel për të gjithë ata qytetarë që ende nuk janë vaksinuar: Drejtohuni sa në parë, me kartën e identitetit me vete, në qendrën më të afërt të vaksinimit”, tha ajo.

Sipas Manastirliut, qendrat e vaksinimit janë të hapura deri në orën 20:00 të mbrëmjes

Java e hapur e vaksinimit ka nisur që të hënën dhe do të vijojë deri të dielën. Kjo është hera e dytë e javës së hapur të vaksinimit, ndërkohë që me herët Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar se vaksinimet mbi 18 vjeç do të bëhen herë pas here.

Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer më shumë se 1 milion e 90 mijë vaksinime, ndërsa Shqipëria ka administruar deri tani 1,611,550 vaksina. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.