Rritja ekonomike këtë vit parashikohet 5.5%

 

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se rritja ekonomike e Shqipërisë për këtë vit parashikohet 5.5%.

Gjatë një interviste në medie, Denaj tha se edhe vitin e ardhshëm borxhi publik do të vijoj të mbetet 80%, por sipas saj, do të ketë një relaksim të ekonomisë.

Ministrja Denaj foli edhe për ndikimin e pandemisë në buxhetin e shtetit. Pasiguritë mbi ecurinë e saj në periudhën vjeshtë-dimër e kanë detyruar Ministrinë e Financave të përgatitet edhe për skenarin më negativ.

“Ne sot menaxhojmë një informacion, i cili lidhet me një pandemi që ka kufizimet e saj, por do të vijojë të na kushtëzojë fonde buxhetore për vaksinim në të gjithë vitet që vijnë pas. Të paktën në dy tre vitet e ardhshme. Dhe ky rishikim i buxhetit afatmesëm sot është pranuar. Fondet buxhetore do të jenë aty për vaksinimin sa kohë vaksinimi është i nevojshëm”, deklaroi Denaj.

Ndër të tjera, Denaj u shpreh se qeveria shqiptare do të paguaj detyrimet për gjyqe të humbura në arbitrazh, kur vendimi të jetë i formës së prerë.

“Në momentin që procedurat finalizohen, atëherë janë detyruese për buxhetin e shtetit”, tha Denaj.

Shqipëria ka 263 milionë euro detyrime që rrjedhin nga gjyqet e arbitrazhit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.